Kaloni te përmbajtja kryesore

Veriu i Kosovës i qetë, por delikat

Disa ditë pas kapjes së një arsenali të armëve në veri, Policia e Kosovës e cilësoi gjendjen e sigurisë në këtë pjesë të vendit si të qetë por ende të brishtë. Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, bëri me dije se forcat policore janë të angazhaura që të ofrojnë shërgbimet për qytetarët por edhe për zbulimin e veprave dhe të kryesve të dyshuar të tyre…

“Situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë por delikate. Policia vazhdon t’i kryej detyrat e saj të përcaktuara me ligj në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe në parandalimin e zbulimin e veprave penale.” , tha për rtv21.

Sasia e kapur e armëve që prej 24 shtatorit të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, me ç’rast u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës, vlerësohet të jetë e konsiderueshme dhe Policia tha se dyshon për lokacione të ndryshme ku mund të jenë vendosur ato.

Rasti i Banjskës ngriti shqetësimet e sigurisë dhe forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë u përforcua me mbi 1000 trupa shtesë, ndërkohë. KFOR-i tha se ishte Ii gatshëm për çdo lloj situate, ndërkaq ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord Robertson, e cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme sigurinë në Kosovë. Robertson qëndroi në Kosovë në 25 vjetorin e çlirimit të saj.

“Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu…Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri.”, tha ai.

Robertson përjashtoi mundësinë e një konflikti të ri të përmnasve të gjëra në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, por tha se ndërhyrja ruse në Ballkan po bëhet përmes një lufte kibernetike.

Prej muajsh liderët e Kosovës kanë ngritur shqetësimet për ndërhyrjen serbe në veriun e Kosovës dhe Ministri i mbrojtjes Ejup Maqedonici ka bërë të ditur se disa njësi të ushtrisë serbe janë vendosur në brezin kufitar me Kosovën.

Kryeminstri Kurti e tha pak ditë më parë se Kosova po përgatitet për çfarëdo sulmi që mund të ndodhë.

“Nëse Federata Ruse do të duhet të fillojë një luftë të re, atëherë do të duhet ta ndajë ushtrinë për atë luftën e re, ndërkohë që në Ballkan këtë gjë mund t’ia delegojë Serbisë. Prandaj, kërcënimi serb është më i madh nga sa duket. Megjithatë, unë besoj se kërcënimi në të njëjtën kohë ka një lloj efekti të paparashikuar nga ana e tyre. Kjo po ndërton mbrojtjen e imunitetit të Kosovës

Por autoritetet serbe e kanë mohuar synimin për të përshkallëzuar gjendjen në veri dhe kanë thënë se angazhimet e tyre ushtarake po bëhen për nevojat e brendshme. Diplomatët e huaj ndërkohë thanë se në rast të një përfundimi të luftës në Ukrainë me fitoren e Putinit, gjendja në Ballkan mund të përshkallëzohet. Për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko Kosova megjithatë është më e sigurt sa i përket kërcënimeve nga Serbia, sesa Bosnja e Hercegovina.

Video: Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë

“… është kjo rrethanë që ka të bëjë me prezencën e NATO-s, dhe rrethana tjetër e cila thotë në kujtesën e këtyre 25 viteve se nëse prekët Kosova, prekët edhe Shqipëria”, tha ai./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button