Veriu temë kyçe e diskutimeve në takimin trepalësh për Kosovën

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dje më 9 janar kanë zhvilluar një takim në selinë qendrore të NATO-s, me zëvendëssekretarin e përgjithshëm, Mircea Geoană.
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se gjatë këtij takimi në seli të NATO-s, është diskutuar për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe zhvillimet e fundit në veri të Kosovës,
“Pata një takim të dobishëm me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana dhe DAS Esobar sot. Ne folëm për zhvillimet e fundit në Dialog, përfshirë ato në veri të Kosovës, bashkëpunimin BE-ShBA-NATO, si dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë që njëherit t’i adresohem ambasadorëve të NATO-s”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Pas këtij takimi, detaje ka dhënë edhe vet NATO, duke thënë se takimi i tyre ishte pjesë e konsultimeve të rregullta për situatën në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Zëvendës sekretari i përgjithshëm, Geoana ka theksuar përpjekjet intensive të kryera nga aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian për të zbutur tensionet e fundit, veçanërisht në veri të Kosovës.
Ai gjithashtu ka nënvizuar mbështetjen kryesore të ofruar nga misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe misioni i sundimit të ligjit (EULEX) i udhëhequr nga BE-ja në largimin e barrikadave, të cilat kanë ndihmuar në rivendosjen e plotë të lirisë së lëvizjes në mbarë Kosovën.
“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në baza ditore, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo i kontribuon sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin – dhe të gjitha përpjekjet që synojnë avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës së tyre, Escobar dhe Lajçak informuan gjithashtu ambasadorët e NATO-s mbi përpjekjet dhe angazhimet e tyre diplomatike reciprokisht përforcuese me të gjitha palët në rajon”, thuhet në komunikatën e NATO-s./21Media

Back to top button