Vërshime edhe në Shqipëri, raportohet për dëme

Reshjet e dendura të shiut e stuhitë e forta kanë përfshirë edhe Shqipërinë.
Siç njoftojnë mediat atje, disa qarqe janë të prekura, ku janë raportuar dëme nga vërshimet dhe rrugët janë bllokuar.
Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se janë marrë masat nga institucionet dhe nëse është e nevojshme do të nisë evakuimi i banorëve.
Problematike paraqitet situata në Vlorë.  Si pasojë e erërave të forta gjatë natës janë rrëzuar pemët në zonën Dukat-Fushë, çka ka sjellë bllokimin e rrugëve. Probleme ka pasur edhe në Unazën e re të qytetit në lagjen “10 Korriku”.
Ndërsa, lundrimi për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit në Vlorë është pezulluar deri ditën e martë.
Era e fortë ka sjellë dhe ndërpreje të energjisë gjatë natës në disa zona si Radhimë, Dukat, Llogora, Orikum etj.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në Durrës. Më problematike mbetet situata në zonat periferike të cilat përmbyten sa herë që ka intensitet të lartë reshjesh.
Në qarkun e Shkodrës reshjet e shiut sollën bllokimin e segmentit Shkrelë- Bogës, gjithashtu kjo zonën është pa drita dhe me rrugë të mbyllura nga vërshimi ujit dhe rrëshqitja e dheut.
Ndërsa në Lezhë janë rritur ndjeshëm prurjet në lumin Drin. Sa i takon rrugëve, raportohen problemet e para të rënies së dherave në Torovicë, Mirditë etj. Edhe në këtë qark nga era e fortë shumë fshatra janë pa energji elektrike si Kallmeti, Torovica, Rraboshta, Fishtë, Zejmen etj.
Në Fushë-Krujë vijon të mbetet problematike nënkalimi në autostradën në Fushë-Mamurras.

Back to top button