Vesa Luma: Nuk e meritojmë as Duan as Dukagjin Lipën as një festival si Sunny Hill!

Pas anulimit të mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë dhe zhvendosjen e tij për në Tiranë, ka reaguar edhe këngëtarja Vesa Luma.
Këngëtarja ka thënë se Dua Lipa e meriton me ia falë tokën për shkak të promovimit që i ka bërë Kosovës.
Ajo gjithashtu ka thënë se Shqipëria i ka vlerësuar gjithmonë artistët dhe i ka pranuar me zemër të hapur, teksa për Kosovë këngëtarja ka thënë se janë marrë paraprakisht me inate personale.
“Dua është thesar! Në vend se me ja falë tokën (dhe jo vetëm aq) për vendin që aq shumë e ka promovuar..i mohohet! Ne nuk e meritojmë as Duan as Dukagjin Lipën as një festival si Sunny Hill!. Për Tiranën mund të thoni çfarë të doni tani, BINGO për rastin, edhe e ka ‘hallall’ Shqipëria gjithmonë ka ditur t’i vlerësoj artistët dhe i ka pranuar me zemër të hapur, përderisa në Kosovë janë marrë paraprakisht me inate personale. Dorën në zemër”, ka shkruar Vesa Luma në InstaStory.

Festivali “Sunny Hill” nuk do të organizohet në Prishtinë, ka njoftuar dje Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali. Ai ka thënë se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Edicioni i tretë i festivalet ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht 2022. Por, tashmë në këto data i njëjti është zhvendosur në Tiranë./21Media

Back to top button