Veseli kërkon mbështetjen e drenicakëve

Veseli takim me qytetarë e Drenasit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka shpalosur para qytetarëve të Drenasit, platformën e “Fillimit të Ri”, e cila prioritet kryesor e ka zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kreu i PDK-së tha se kjo do të bëhet përmes mbështetjes së bizneseve private dhe ndërmarrësve e fermerëve, në mënyrë që ata t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre dhe ta rrisin numrin e punëtorëve.

Veseli kërkoi nga qytetarët e Drenasit që më 11 qershor të tregojnë fuqishëm mbështetjen për Fillimin e Ri, në mënyrë që të jetë një fitore bindëse.

“E kjo mund të arrihet nëpërmjet një ekonomie të shëndoshë, një ekonomi e cila është e zhvilluar. Kush mundet më së shumti ta zhvillojë këtë vend? Kush mundet më së miri ta udhëheqë këtë vend? Janë bizneset, janë ndërmarrësit tanë. Janë rreth 60 mijë aktualisht. Ne do t’i ndihmojmë ato biznese, t’u lehtësojmë punët e tyre dhe në të njëjtën kohë t’i stimulojmë ato që të zgjerojnë fushë veprimtarinë e tyre duke zgjeruar edhe prodhimin dhe më pas punësimin e djemve dhe vajzave kosovare”, tha Veseli.

Ai u zotua se për katër vite do të pesëfishohen eksportet në mënyrë që të balancohet eksporti me importin.
Ndërsa, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi iu kërkoi qytetarëve të Drenasit që më 11 qershor t’i japin PDK-së besimin. Madje, ai kërkoi edhe diçka tjetër nga Drenica.

“Ju në Drenicë duhet të votoni dhe të dilni shumë në votime, në mënyrë figurative po e them nëse ju ia rritni fitilin llambës do të bëni dritë e të shkëlqejë krejt Kosova dhe unë jam i bindur që më 11 qershor do të shkëlqejë demokracia, do të shkëlqejë Kosova dhe mbi të gjitha do të fitojë PDK-ja”, tha Kuçi.

Sipas tij, deri më tani janë bërë punë të mira, porse në rreth tri vitet e fundit ka pasur një stagnim në vendimmarrje.

Kuçi shtoi se Kosova ka nevojë për vendime të mëdha dhe të shpejta, pasi shtetet e reja nuk ndërtohen me vendime të ngadalta.

Koalicionin me AAK-në dhe Nisma, Kuçi e quajti koalicioni që i bashkon qytetarët e Kosovës, pasi ka bashkuar Dukagjinin e Drenicën, Llapin e Anamoravën, Pashtrikun dhe krejt Republikën e Kosovë./21Media

Back to top button