Veseli: Me Ligjin për Paga përfitojnë 70 mijë punonjës

Veseli optimist se Ligji për Paga do të miratohet nesër

Krerët institucional, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj kanë mbajtur sot takim me përfaqësues të SBASHK-ut dhe janë dakorduar që procesi mësimor të fillojë të hënën. Pas këtij takimi, në një konferencë të përbashkët për media, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se të gjithë punëtorëve të arsimit i janë rritur pagat.

“Të gjithë punëtoreve në sistemin e arsimit i janë rritur pagat dhe ashtu siç kemi premtuar do të mbajmë premtimet që të jemi afër tyre”, ka thënë Veseli.

Ai ka deklaruar se në seancën e nesërme të Kuvendit do të miratohet Ligji për Paga, që do të mundësojë rritjen e pagave për 70 mijë punonjës. Po ashtu, Veseli ka deklaruar se statusi i punëtorëve të Doganave dhe të Administratës Tatimore nuk do të preket.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria është e interesuar t’u japë përgjigje të gjitha kategorive në sektorin publik.

Haradinaj ka thënë se është i vetëdijshëm për shqetësimin që ka shkaktuar përgatitja e Ligjit për Pagat.

“Jemi pak orë para votimit të Ligjit për Pagat. Jam i vetëdijshëm që përgatitja e këtij ligji i ka shqetësuar të gjithë që paguhen nga buxheti i shtetit”, ka thënë ai.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se gjysmëvjetori i dytë i këtij viti shkollor fillon të hënën. Jasharaj ka thënë se janë afër arritjes së marrëveshjes.

“Marrëveshja është afër për çfarë kemi kërkuar. Gjysmëvjetori i dytë fillon të hënën”, ka thënë Jasharaj.

Kohëve të fundit në Kosovë, punëtorë të sektoreve të ndryshme publike janë në grevë, pikërisht për shkak të koeficientit të lartë në disa kategori dhe të ulët në kategori tjera./21Media

Back to top button