Veseli: Nga dje Kosova mori një rrugëtim të ri

”Tani hapet perspektiva e re. Ka dhe të atillë që synojnë të shembin gjithçka. Në këto rrethana PDK është e gatshme të marrë përgjegjësi, e bindur se vendi mund të ecë përpara”

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar të mërkurën se partia që ai drejton është e gatshme të marrë përgjegjësi, e bindur se vendi mund të ecë përpara, ndërsa qeverisja e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk ka intensifikuar përpjekjen për vendimmarrje është parë e arsyeshme që të dëgjohej vullneti i qytetarëve.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që i bëri çerdhes “Mollëkuqja” në Prishtinë, së bashku me Arbana Xharrën, e cila para pak ditsh aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës.

I pari i PDK-së me këtë rast foli për situatën politike, pas rënies së Qeverisë së Kosovës dhe shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vendi nga dje merr një rrugëtim të ri.

“Nga dje Kosova merr një rrugëtim të ri. Kam menduar që më e mira që mund të bëj të mos mendoj vetëm për veten, por dhe për qytetarët. Duke parë dëshirën e tyre për ndryshim dhe se qeverisja e udhëhequr nga Mustafa nuk e intensifikonte përpjekjen për vendimmarrje, e pamë të arsyeshme ta dëgjojmë vullnetin e qytetarëve. Tani hapet perspektiva e re. Ka dhe të atillë që synojnë të shembin gjithçka. Në këto rrethana PDK është e gatshme të marrë përgjegjësi, e bindur se vendi mund të ecë përpara”, është shprehur kryetari Veseli.

Duke përkujtuar se pa fuqizimin  e grave dhe të rinjve nuk mund të ketë zhvillim të fuqishëm ekonomik në Kosovë, Veseli tha se vendi i nevojitet një fillim i ri për të mirën e qytetarëve dhe perspektivës së tyre.

“Jam në një ambient të veçantë si baba i katër fëmijëve të cilët kanë qenë në çerdhe. Institucioni parashkollor është i rëndësishëm. Investimi më i garantuar është në edukimin e fëmijëve, të krijojmë fëmijë që janë të përgatitur t’i përballojmë sfidat e konkurrencës globale”, ka thënë ai.

Nga tjetër, Arbana Xharra, ka folur për rëndësinë e çerdheve për edukimin e fëmijëve. “Të provojmë të punojmë me nder. Kopshti ka shumë rëndësi, se ne duar të kujt i lënë fëmijët. Duhet të merreni seriozisht me fëmijët”, është shprehur ajo.

Back to top button