Veseli premtoi mbështetje për gratë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, sot ka marrë pjesë në Samitin e Gruas Demokratike në Prishtinë

Para qindra grave të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ndjehet i frymëzuar nga të gjitha gratë e Partisë Demokratike të Kosovës që janë mbledh sot.

“Është koha për një fillim të ri për gratë në Kosovë dhe në PDK”, është shprehur ai.

Në një panel me gra, kryetari Veseli u është përgjigjur dhjetëra pyetjeve për rolin e grave në shoqërinë tonë.

Për rritjen e përfaqësimit të grave në PDK dhe në institucionet e Kosovës, i pari i PDK-së ka thënë se jemi krenarë për gjithçka që Partia Demokratike e Kosovës ka bërë për Kosovën.

“Ne i kemi promovuar gratë në pozita udhëheqëse në qeveri, ne i kemi mbështetur politikat për gratë, në familje dhe në punë. Unë i kam promovuar gratë në poste ministrore në qeverinë e fundit dhe nëse PDK-ja zgjidhet për të udhëhequr qeverinë e ardhshme, ne do të kemi edhe më shumë gra në pozita ministrore. Në PDK, unë kam kërkuar nga Justina për të ndihmuar në rekrutimin e grave që mund të marrin poste udhëheqëse në partinë tonë. Kam caktuar një synim që në 60 muajt e ardhshëm ne do ta rrisim pjesëmarrjen e grave në të gjitha degët e PDK-së. Kur të rritet vajza ime, dua që ajo të dijë se ajo mund të jetë çfarëdo që ajo dëshiron të bëhet – një ndërmarrëse, mjeke, avokate, fermere apo piktore”, ka thënë Veseli.

I pyetur për premtimin e tij për hapjen e vendeve të reja të punës, veçanërisht për gratë, kreu i PDK-së ka thënë se ky është prioriteti kryesor i tij dhe se fillimi i ri për gratë do të nis me vendet e reja të punës.

Ai ka shtuar se gratë e reja kanë qasje të theksuar në arsim, por kjo nuk po përkthehet në fuqinë punëtore.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se do të përkushtohet që të dyfishojë buxhetin për bujqësinë dhe të punojë me fermerët tanë për t’i ndihmuar ata të kenë qasje në kapital dhe në tregjet e huaja./21Media

Back to top button