Veseli ka thënë  se është e nevojshme që të stimulohet avancimi i femrave  në sektorin e teknologjisë së informacionit

Veseli ka thënë  se është e nevojshme që të stimulohet avancimi i femrave  në sektorin e teknologjisë së informacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bashkëbiseduar me femrat që merren teknologji informative, në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në teknologji informative”, që u mbajt në Universitetin Amerikan të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit me vajzat e angazhuara në këtë sektor, kryeparlamentari Veseli është njohur me angazhimet e tyre dhe sfidat me të cilat ato përballen gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme.

Kryetari Veseli e ka cilësuar sektorin e teknologjisë së informacionit një nga mundësitë më të mira që ka vendi ynë për të ecur shpejt në zhvillimin ekonomik. Veseli tha se buxheti institucional për mbështetjen e sektorit të teknologjisë informative duhet të dhjetëfishohen.

“Të rinjtë tanë janë shumë të pasionuar me teknologjitë e informacionit, por vetëm pasioni nuk mjafton. Interesi i drejtpërdrejtë nacional është që potencialin dhe pasionin e të rinjve tanë për IT ta shndërrojmë në industri të IT-së, e cila pastaj, jo vetëm krijon vende pune për të rinjtë tanë, por njëkohësisht u mundëson atyre të krijojnë vende pune edhe për të tjerët”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se që të ndodhë kjo, janë të domosdoshme investimet e mëdha në këtë drejtim. Veseli tha se aktualisht ekziston një hendek serioz në mes shkathtësive të IT-së që ofrojnë sot institucionet tona arsimore e qendrat e trajnimit profesional dhe kërkesave që kanë kompanitë e IT-së.

“Ne duhet ta mbyllim shpejt këtë hendek, duke marrë vendime të mëdha strategjike, përmes të cilave orientohen fondet në qendrat e specializuara universitare dhe trajnimit profesional për inovacion dhe IT”, theksoi Veseli.

Duke qenë një shtet që promovon barazinë gjinore, Veseli tha se është e nevojshme që të stimulohet avancimi i femrave në përvetësimin e shkathtësive në sektorin e teknologjisë së informacionit.

“Kjo nuk mjafton të bëhet njëherë në vit duke shënuar një ditë simbolike, por çdo herë dhe çdo kund ku hartohen politika dhe merren vendime që prekin këtë fushë. Ashtu si kemi arritur me të mrekullueshmen Majlinda Kelmendi të bëhemi kampion bote në sportin e xhudos, ne mund të kemi shumë Majlinda Kelmendi në fushën e IT-së”, tha kryeparlamentari Veseli./21Media