Veseli thotë se ka ardhur koha për një fillim të ri

Papunësia sipas Veselit kërkon ndërhyrje urgjente

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ka ardhur koha për një fillim të ri, i cili do të fokusohet krejtësisht në veprimtarinë prodhuese, e cila do të jetë motor i zhvillimit ekonomik në vend. Këto komente Veseli i bëri sot në hapjen e panairit për promovimin e produkteve vendore në Prizren, i cili u organizua nga shoqata e zejtarëve dhe bizneseve “ESNAF”.

Veseli tha se problemi më i madh që vazhdon ta preokupojë qytetarin e Kosovës, është papunësia dhe kjo çështje sipas tij kërkon ndërhyrje urgjente.

“Të gjitha familjet tona kanë problem me papunësinë. Si mund të arrijmë ta zgjidhim këtë situatë. Këtë problem kaq të madh. Kjo mund të arrihet vetëm duke punësuar njerëz. Dhe për t’i punësuar, duhet të kemi veprimtari prodhuese. Duhet të kemi prodhim vendor. Do të thotë ka ardhur koha e një kthese të madhe në Kosovë. Ka ardhur koha e një fillimi të ri, i cili do të orientohet, Kosovën do ta orientojë në punë, në veprimtari prodhuese. I cili do tu japë perspektivë atyre njerëzve që kanë ide kreative, inovative. Atyre njerëzve të cilët janë punëtorë”, tha Veseli.

Kreu i legjislativit me tutje shtoi se pikërisht kjo do të jetë prioritet i tyre, pasi sipas tij, nuk ka nevojë që paratë e taksapaguesve të kalojnë në shpenzime, të cilat janë vetëm konsum. Po ashtu, Veseli tha se orientimi i institucioneve do të jetë nga këto biznese.

“Cikli i vendimeve tona vendimmarrëse, veçanërisht në institucionet tona do të orientohet nga bizneset vendore, në mënyrë që jo vetëm t’i japim primat çdoherë vetëm eksporteve, importeve në fakt. Keni parasysh që kemi bilancin tregtar më negativ në Evropë, me aq sa di unë. Rreth 90% vetëm importojmë, e vetëm 10% eksportojmë. Kosova në varfërinë e vet sociale jep kaq para të gatshme. A mund të vazhdojë kjo? Jo assesi. Cila është zgjidhja. Zgjidhja është tek njerëzit punëtorë. Zgjidhja është pikërisht tek këta njerëz, të cilët i kanë ekspozuar produktet e tyre në mënyrë që edhe burokracia jonë të mos u krijojë probleme. Po me vendimmarrje t’u jepet përkrahje këtyre produkteve”, theksoi Veseli.

Ai ka inkurajuar të gjitha bizneset të cilat janë prodhuese, të vazhdojnë veprimtarinë e tyre prodhuese, pasi do të ketë hapa dhe masa të vendimmarrjes institucionale, të cilat do të jenë tërësisht në përkrahje të tyre./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button