Veseli: Universitetet publike nuk do të mbyllen

Veseli për Universitetet Publike: Nuk do të lejojë ndërhyrje politike në to

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot u takua me rektorët e universiteteve publike të Kosovës. Veseli tha se shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit në procesin e akreditimit të programeve akademike, janë shqetësime reale dhe duhet të adresohen për zgjidhje, pa humbur kohë.

“Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike, as nga ndërhyrjet politike dhe as nga interesat e tjera të ndërlidhura me konkurrencën në arsimin e lartë në Kosovë”, ka shkruar Veseli në “Facebook”.

I pari i legjislacionit tha se kriter i vetëm i konkurrencës duhet të jetë gara për cilësi reale dhe profilizim universitar, në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut.

Ai tha se universitetet publike nuk do të mbyllen.

“I siguroj studentët e universiteteve publike se të drejtat e tyre do të mbrohen plotësisht! Ata duhet të vazhdojnë të qetë studimet e tyre. Universitetet publike nuk do të mbyllen. Ato vetëm do të zhvillohen edhe më shumë”, u shpreh tutje ai.

Nga dita e marte të gjitha universitetet publike kanë filluar grevën e përgjithshme dhe kjo grevë do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Rektorët e universiteteve publike më 24 janar i ishin drejtuar deputetëve të Komisionit për Arsim, ku kishin shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e 40 për qind të programeve në këto universitete. Ata kishin deklaruar se vendimin në fjalë e konsiderojnë jo-ligjor. Andaj, kishin kërkuar që deri më 28 janar të shkarkohet Këshilli, në të kundërtën do të vazhdonin me greva dhe protesta.

Ndryshe, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova përmes një njoftimi për media ka treguar se ka takuar anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA) dhe me këtë rast ajo ka potencuar që politika të mos ndërhyjë në punën e agjencive të pavarura. Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett i është bashkuar thirrjes së Nataliya Apostolovas, që të mos kërkohet ndërhyrje në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Philip Kosnett ka thënë se politika nuk ka vend në sektorin e edukimit./21Media

Back to top button