Vetëm katër logopedë në QKUK, dhjetëra fëmijë me probleme në të folur
Shërbimi i logopedisë i cili funksionon në kuadër të ORL-së ka vetëm tre logopedë dhe një defektolog. Ky numër i ulët i personelit shëndetësor është duke ndikuar dukshëm në listën e pritjes për të marrë shërbimet mjekësore
Tash e një muaj dy herë në javë merr rrugën nga Vushtrria për në shërbimin logopedik të QKUK-së, në mënyrë që të vijojë seancat djali i tij i cili ka ngecje në të folur. Prindi i 10 vjeçarit që dëshiroi të mbetet anonim, tha se për të hyrë në radhë për seancë u detyruan të prisnin në listën e gjatë të shërbimit logopedik.
“…që një muaj prej që e kemi nisë seancat. Kemi pritë një vit për këtë termin…është problemi që është kërkesa shumë e madhe. Qe pesë vjet e ka djali këtë problem, kur i ka bo 5 vjet ju ka shfaqë ky problem. Në spitale private 20 euro është një orë, dyherë në javtë me pru 40 euro çdo javë…”, th ai
Aktualisht në këtë shërbim, seancat logopedike i vijojnë 72 fëmijë. Për të zvogëluar listën e pritjës, shërbimit logopedik i duhen logopedë të rinj thotë u.d së shefës së shërbimit logopedik, Zahide Uka Rraci, por përveç kësaj, ajo vë në pah edhe nevojën për një hapësirë më të madhe.
“…është lista e gjatë, po na shpresojmë që në të ardhmen e afërt kjo listë e pritjes të bie. Realisht kjo listë e pritjes ka rënë vitin e kalum kjr i kemi marrë dy logopedë të rinjë. Kemi nevojë akoma për logopedë…aktualisht në shërbimin tonë vijojnë seanca logopedike rreth 72 fëmijë, këta fëmijë janë të ndamë në tri grupe. Dy grupe vijojnë nga dy herë në javtë, ndërsa grupi i tretë vetëm njëherë në javë, kjo është bë vetëm për ta ulur listën e pritjes…”, tha ajo për rtv21
Lidhur me këtë çështje Ministria e Shëndetësisë tha se e kanë paraparë një ngritje të kapaciteteve.
“Sa i përket kësaj çështje, në Grantin Specifik është e paraparë që në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor të punësohen edhe profesionistë të fushës siç janë: fizioterapeut, psikolog, logoped dhe eventualisht edhe punëtor social.”
Mirëpo, përveç në QKUK një tjetër Qendër Logopedike për Trajtim dhe Hulumtim “Zë” ofron seanca nga 4 logopedë aktiv. Themeluesi i saj, Lekë Gjurgjiali, thotë se mbështetjen financiare e kanë marrë nga pushteti lokal.
Ai numëron shkaqet e çrregullimeve në të folur por përmend edhe zhvillimet e fundit teknologjike.
“…kjo varion në aspektin e crregullimeve, nëse flasim për vonesën një faktor kyç është kërkesa e stimulimit, në rast se fëmija nuk është i stimulum mjaftueshëm për me folë, shpesh herë nuk e sheh të arsyeshëm mos me folë. Fëmijët janë të ekspozuar edhe para teknologjisë gjë që ndikon shumë dhe pra janë pasiv, edhe prindërit që i rrijnë shumë gati fëmijëve e nuk i lënë aktiv…”, tha Lekë Gjurgjiali
Logopedët që punojnë në sektorin privat, licencohen nga Oda e Infermierëve e Kosovës, sipas së cilës janë 187 të tillë. Logopedët vlerësojnë se trajtimi i hershëm i këtyre problemeve në të folur është kyç për të pasur sukses./RTV21/21Media