Vetëm një aktakuzë për krime lufte gjatë 2021

23 vjet pas përfundimit të luftës, ende nuk ka drejtësi për mbi 13 mijë persona të vrarë, 20 mijë të dhunuar seksualisht dhe mbi 1600 të zhdukurit.
Vetëm një aktakuzë është ngritur për krime lufte gjatë vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale në Kosovë.
Ambasadorë të huaj në Kosovë kanë deklaruar se krimet e pa-adresuara mund të gërryejnë paqen në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, është kërkuar që viktimat të mos bëhen ‘viktima politike’.
Kështu u tha në prezantimin e raportit vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare nga monitorimi i gjykimeve mbi krimet e luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht gjatë vitit 2021.
Amer Alija nga FDHK tha se kanë monitoruar 50 seanca gjyqësore në rastet e krimeve të luftës dhe 20 seanca që lidhen me vepra penale me prapavijë politike.
Me numrin e vogël të aktakuzave nuk është pajtuar udhëheqësja e Departamentit për Krime Lufte, Drita Hajdari. Ajo tha se kanë sfida të mëdha në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës.
Në tryezën me temën “Pengesat aktuale në procedimin e krimeve të luftës në Kosovë”, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott tha se sfidë për vendosjen e drejtësisë është se shumë nga kryerësit e veprës nuk janë në Kosovë dhe se ekziston mungesë e bashkëpunimit me institucionet e Serbisë.
Sipas tij, drejtësia në Kosovë dhe Serbi varet nga akterët politikë.
Pauline Menthonnex Gacaferri, zëvendësshefe e misionit nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, theksoi se viktimat e krimeve të luftës kanë të drejtë për drejtësi.
Shefi i seksionit për Çështje Juridike dhe Këshillimor për Sundimin e Ligjit në Zyrën e Bashkimit Evropian, Hakan Ejdervik tha se janë duke mbështetur procesin me mbi katër milionë euro.
Në publikimin e raportit vjetor të FDHK u tha se Policia e Kosovës ka intervistuar gjatë vitit 2019 mbi 300 dëshmitarë dhe ka arrestuar tetë persona.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, gjyqësori vendor dhe ndërkombëtar ka akuzuar rreth 70 persona për krime lufte në Kosovë./21Media

Back to top button