Vetëvendosje dorëzon padi ndaj NPB-së për keqpërdorim

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, dorëzoi sot padi kundër Ndërmarrjes Publike Banesore, lidhur me dyshimet për keqpërdorime për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”. Kjo parti iu drejtua Gjykatës Themelore në Prishtinë me padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist” dhe kërkesë për masë sigurie.
Asambleisti Arianit Beqiri, tha se kjo padi vjen pas 1 vjet e gjysmë angazhimi në denoncimin e këtij skandali ku 17 mijë metra katrorë pronë publike në mes të kryeqytetit, llogaritur në vlerë 120 milionë euro, u provua të tjetërsohen në pronë private në emër të gjoja se bashkëpunimit publiko-privat.
“Kemi pritur që përbërja e re e Kuvendit Komunal dhe po ashtu ajo e ekzekutivit të Prishtinës ta ndalnin këtë masakër financiare dhe pronësore të bërë nga NPB-ja që është lejuar nga aksionarët e ekzekutivit të kaluar. Por siç dhe shihet, jo vetëm që nuk e kanë ndërmend ta ndalin këtë aferë, por edhe janë angazhuar që pavërejtshëm t’ua përmbushin kushtet deri sa fillimi i punimeve t’i vendosë edhe organet gjyqësore para një akti të kryer”, tha ai.
“Në këto kushte, ne si përfaqësues të qytetarëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të pajisur me përgjegjësitë për të mbrojtur interesin qytetar e veçanërisht pronën publike nga shfrytëzimi i së cilës do të duhej të përfitonin të gjithë qytetarët ose ata me më së shumti nevoja e vështirësi, iu drejtuam sot gjykatës me këtë padi dhe kërkesë për masë sigurie në mënyrë që të mbrojmë tjetërsimin që po synohet t’i bëhet mbi 17 mijë m2”, shtoi Beqiri.
Ndërsa Egzon Azemi nga VV-ja, tha se përveç lëndës së padisë janë bashkangjitur edhe 80 faqe prova dhe argumente ku dëshmohen shkeljet e shumta të këtij projekti./21Media

Back to top button