Vetëvendosje reagon lidhur me rastin e dhunimit në Drenas

Kjo gjendje është e patolerueshme më!

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me rastin e dhunimit të një të miture nga një polic në Drenas. Vetëvendosje e ka cilësuar këtë rast si të rëndë dhe ka fajësuar shtetin.

Po ashtu ky subjekt politik përkrahë protestën e nesërme e cila do të mbahet nesër në ora 12:00 para stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë.

“Reagim për ngjarjen e rëndë në Drenas
Në shoqërinë tonë hetime zhvillohen në formë aktive vetëm kur është fjala për persekutime politike. Në rastet e ngacmimit, dhunimit dhe shfrytëzimit të gruas sa më të hetueshme që janë rastet aq pa hetuar mbesin. Denoncuesit përqeshen, madje deri në pikën sa hetuesi vetë, polici, gjen hapësirën për t’u shndërruar në dhunues dhe shfrytëzues – sikur në rastin e mbrëmshëm ku u kuptua që për një vit të tërë u shfrytëzua seksualisht një e mitur 16 vjeçare nga Drenasi.
Për çfarë shteti mund të flasim, kur policët që zënë me drogë djalin e Shefit të AKI-së suspendohen, ndërsa policët që dhunojnë dhe shfrytëzojnë seksualisht të miturën dekorohen? Iu bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të merren seriozisht me rastin në mënyrë që kjo tragjedi mos ndiqet nga skandali i lirimit të dhunuesit në fjalë, siç edhe ndodh zakonisht. Rastet e tilla janë të shpeshta, ku me raportimin bëhet shaka. Kjo gjendje është e patolerueshme më. Përçmimi që institucionet shtetërore i bëjnë rasteve të raportuara të dhunimit është po aq i rëndë sa vetë dhunimi.
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet protestën e ditës së nesërme në ora 12:00 para stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë dhe marshin protestues në Drenas para policisë ditën e premte në ora 12:00.”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Dje në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga hetuesi policor V. V, i cili po ashtu e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.
Ndryshe, 194 punonjës të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2018 janë hetuar si të dyshuar për vepra penale nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK)./21Media

Back to top button