Vëzhguesit evropianë: Zgjedhjet e vitit 2021 ishin të organizuara mirë

Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim misionin e BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Lukas Mandl, Konrad Andrej Olszewski dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Siç informoi Zyra e Kryeministrit, Mandel tha se raporti është pozitiv për Kosovën dhe se përbën raportin më pozitiv të misioneve të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Të gjeturat e raportit tregojnë se zgjedhjet komunale të vitit 2021 ishin të organizuara mirë, liritë themelore u respektuan gjatë fushatës dhe një numër i madh garuesish u ofruan votuesve një zgjedhje reale. Raporti po ashtu vlerëson se KQZ-ja i bëri përgatitjet për zgjedhje në mënyrë profesionale duke respektuar të gjitha afatet ligjore dhe gëzoi një nivel të lartë besimi nga të gjitha palët e interesuara dhe se pati një fushatë të decentralizuar dhe konkurruese.”, u bë e ditur në komunikatë.
Raporti thekson edhe një numër mangësish, siç u theksua në komunikatë, të cilat duhet të adresohen në reformën zgjedhore sikurse ato mbi financimin e partive politike, kualifikimin e kandidatëve dhe rregullat e fushatës, votimin e qytetarëve jashtë vendit, saktësinë e listave të votuesve dhe mangësi të tjera në mënyrë që aspekti rregullativ të jetë sa më i qartë e sa më demokratik.
Kryeministri shprehu falënderimin për misionin vëzhgues dhe theksoi nevojën për një raportim sa më të drejtë dhe përkushtimin për të shtyrë përpara procesin e reformave zgjedhore.​/21Media

Back to top button