Vihet gurthemeli për ndërtimin e çerdhes në Shalë

Në oborrin e shkollës së mesme të lartë “Shaqir Hoxha” në Shalë, vihet gurthemeli për ndërtimin e një çerdhes. Gjatë së hënës filluan punimet për ndërtimin e këtij objekti, ku i pari i Lipjanit tha se shumë shpejt do të finalizohet dhe do të jetë në funksion të fëmijëve.
Në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i komunës, Imri Ahmeti tha se gradualisht po përmirësohet edhe standardi i nevojshëm për mirëqenien e shaljanëve.
“Është kënaqësi e veçantë për të vën gurthemelin e një objekti të ri të çerdhes për këtë regjion, jo vetëm Shalës. Po besoj që do ju shërbejë shumë familjarëve të kësaj treve, të kësaj pjese për edukimin e brezave të rinj. Unë jam shumë i kënaqur që kemi arritur të ndajmë mjete të mjaftueshme dhe kjo çerdhe do të jetë shumë shpejt në funksion për fëmijët e këtij regjioni”, tha Ahmeti.
Drejtori i shkollës, Ali Shamolli tha se në Shalë po përmirësohet infrastruktura.
“Po plotësohet infrastruktura në regjionin e Shalës. Po plotësohemi edhe me çerdhe edhe me shkollën fillore dhe të mesme. Urime qytetarëve, urime mësimdhënësve dhe presim rezultate”, është shprehur ai.
Ahmeti gjatë ditës do të marrë pjesë edhe në përurimin e dy çerdheve në Sllovi dhe në Gadime të Lipjanit./KP

Back to top button