Virus i ri po përhapet në Australi, a mund të jetë kërcënim global?

 
Një virus që po përhapet në të gjithë Australinë është një “kërcënim global në rritje”, ka paralajmëruar një ekspert.
Encefaliti japonez – një infeksion viral i trurit – ka shkaktuar vdekjen e dy personave, dhe 15 të tjerë janë infektuar.
Virusi gjendet te derrat dhe zogjtë dhe kalon te mushkonjat kur ato kafshojnë kafshët e infektuara.
Nuk mund të përhapet nga personi në person, kështu që nuk është një kërcënim aq i madh sa virusi i tipit Covid .
Është më e zakonshme në zonat rurale në Azinë juglindore, ishujt e Paqësorit dhe Lindjen e Largët.
Rastet në Australi mendohet se janë shfaqur në derrra, pasi katër shtete raportuan infeksione muajin e kaluar, raporton The Sun, përcjell portali rtv21.tv
Dy persona, një burrë në të 70-at dhe një tjetër në të 60-at, kanë vdekur nga virusi që nga 28 shkurti.
Shkencëtarja, Dr Ava Easton ka ndarë frikën se një numër i konsiderueshëm njerëzish ose do të vdesin ose do të përballen me efektet “ndryshuese të jetës” nga virusi.
“Për ata që zhvillojnë encefalit si rezultat i një pickimi nga një mushkonjë , gati një e treta e atyre që preken nga encefaliti në atë mënyrë fatkeqësisht do të vdesin dhe një e treta deri në 50 për qind do të mbeten me ndryshime serioze të jetës.”, tha Easton
Ajo për 7NEWS tha se përmbytjet e fundit në Australinë Lindore kanë krijuar një terren perfekt për mbarështimin e mushkonjave.
“Përmbytjet në Australi kanë rezultuar në më shumë ujë, më shumë zogj shtegtarë dhe kjo do të thotë më shumë kapacitet për mushkonjat për t’u ushqyer me atë që ne i quajmë nikoqirë të virusit, siç janë derrat.”, shpjeogi Easton.
Shumica e njerëzve të infektuar me virusin e encefalitit japonez, do të përjetojnë simptoma të lehta që shpesh ngatërrohen me grip. Por disa do të zhvillojnë encefalit, i cili mund të jetë fatal ose të shkaktojë dëmtime neurologjike afatgjatë.
Simptomat e encefalitit përfshijnë konfuzion, dhimbje koke, ngurtësim të qafës, dridhje, përgjumje dhe konvulsione.
Aktualisht nuk ka kurë për encefalitin japonez. Nëse një person ka një infeksion të rëndë, zakonisht duhet të shtrohet në spital në mënyrë që t’i jepen lëngje, oksigjen dhe mjekim. Katër raste janë konfirmuar në Australinë e Jugut, tre në Uellsin e Ri Jugor dhe shtatë në Victoria.
Megjithatë, ky numër pritet të rritet në ditët në vijim. Zëdhënësi i departamentit të shëndetësisë Chris Lease tha se është e rëndësishme që njerëzit të shmangin pickimin nga mushkonjat .
Rreth 1 në çdo 250 njerëz që infektohen me encefalit japonez zhvillojnë simptoma më të rënda ndërsa infeksioni përhapet në tru. Kjo zakonisht ndodh 5 deri në 15 ditë pas infektimit dhe përfshin temperaturë të lartë,konfuzion ose dobësi të muskujve. 1 në çdo 3 persona që zhvillojnë këto simptoma më serioze mund të vdesin si rezultat i infeksionit. Sëmundja është një shqetësim i veçantë për të moshuarit dhe të rinjtë përfshirë fëmijët në 5 vjeç./21Media

Back to top button