Vitia: Së shpejti spitali i Prizrenit do të pajiset edhe me rezonancën magnetike
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do ta furnizojë Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit me rezonancën magnetike, e cila do të jetë në dispozicion për banorët e Komunës së Prizrenit, por edhe të banorëve të komunave përreth.
Vitia i bëri këto komente pas vizitës në këtë spital, të cilin e vizitoi bashkë me zv/ministrin Arsim Berisha, të shoqëruar nga u.d drejtoresha e ShSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj dhe zv/drejtori, Hasan Arzoallxhiu.
Ministri Vitia theksoi intensifikimin e bashkëpunimit ngaqë, siç u shpreh, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është spitali më i madh regjional që ofron shërbime edhe për shtetasit e Shqipërisë.
“Deri në muajin shtator ose tetor, spitali i Prizrenit do të pajiset edhe me rezonancën magnetike, një shërbim i munguar për qytetarët. Gjatë këtij viti do të përfundoj edhe pjesa e Kardiologjisë Invazive që do të ndikojë në shtimin e shërbimeve. Shërbimet e Kardiologjisë Invazive për herë të parë do të ofrohen në një spital regjional, e jo vetëm në QKUK. Shërbimet si koronografitë dhe stentimet do të mundësohen edhe në këtë spital. Një lajm tjetër i rëndësishëm është se tashmë janë bërë planifikimet që një pjesë e shërbimeve onkologjike të merren edhe në këtë spital. Forcimi i kapaciteteve të spitaleve regjionale, do shkarkojë edhe fluksin e kërkesave në QKUK”, tha ministri Vitia.
Sipas ministrit Vitia, përpos investimeve që do të realizohen gjatë këtij viti, në kuadër të planifikimeve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, janë planifikuar investime në projekte të cilat do të avancojnë shërbimet për qytetarët.
Më pas ministri Vitia bashkë me zv/ministrin Berisha dhe udhëheqësit e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, vizituan hapësirën e repartit që në të ardhmen do të ofrojë shërbimet e Kardiologjisë Invazive, Repartin e Kirurgjisë, Qendrën për Dializë si dhe hapësirën ku do të vendoset rezonanca magnetike.
Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia u njoftua gjithashtu edhe për mbarëvajtjen e “Objektit spitalor për nënën dhe fëmijën” që ka për qëllim përmirësimin e kujdesit ndaj shëndetit të popullatës, veçanërisht të kujdesit ndaj shëndetit të nënës e fëmijës./21Media