Vitia vizitoi policët pas aksidentit me autoblindë
Një autoblindë e Policisë së Kosovës është përfshirë në një aksident të premten mbrëma në Grabovc të Zveçanit, duke rezultuar me lëndime për disa zyrtarë policorë.
Ngjarja ka ndodhur kur autoblinda, që transportonte tetë zyrtarë policorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë nga rruga.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili i ka vizituar policët e lënduar derisa ka njoftuar se gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Nga tetë policët e lënduar sonte në aksident, pesë janë liruar në shtëpi kurse tre gjenden në Klinikën Emergjente në QKUK.I vizitova sonte dhe mjekët më njoftuan se gjendja e tyre është stabile dhe për momentin jashtë rrezikut për jetë. Njëri do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëri pas observimit në Klinikën Emergjente pritet të tranferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë”, ka pohuar ai.
Vitia ka theksuar se “i gjithë stafi në spitalin e përgjithshëm në Mitrovicë dhe Klinikën Emergjente në QKUK janë mobilizuar duke reaguar shpejt dhe në mënyrë profesionale. I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë secilit”.
Aksidenti i policëve në Veri, dy prej tyre janë transferuar në QKUK