“Vizita e Putinit në Beograd e shpërfaq nevojën urgjente të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor”

Ahmeti flet lidhur me vizitën e Putin në Beograd

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se vizita e sotme e Presidentit rus, Vlladimir Putin në Beograd e shpërfaq më së miri nevojën urgjente të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor.

“Glorifikimi i regjimeve autoritare nga Serbia shtetërore e cila po përballet po ashtu me protesta masive qytetare kundër autoritarizmit po dëshmon se rajoni, e sidomos Serbia, duhet t’i jepë urgjentisht përparësi demokratizimit të saj dhe vlerave universale për të drejtat e njeriut”,  ka thënë Ahmeti.

Tutje ai ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë synim vetëm se për investime dhe për zhvillim ekonomik, por sidomos për vlerat e saj për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut.Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është një shansë për një rajon të nesërm të paqëtuar, të demokratizuar dhe të zhvilluar, “Për një realitet tjetër nga atë që po e shohim sot në Beograd”.

“Fryma dominuese shoqërore dhe deklaratat e krerëve të Republikës së Serbisë lidhur me vizitën e Presidentit rus Vlladimir Putin në Beograd vërtetojnë edhe më shumë se njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe integrimi euro-atlantik, të përfshira në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, janë jo vetëm kushte të domosdoshme për marrëveshjen eventuale midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe garanca për paqen e demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin evropian. Pas normalizimit të marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Greqisë, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është një shansë për një rajon të nesërm të paqëtuar, të demokratizuar dhe të zhvilluar. Për një realitet tjetër nga atë që po e shohim sot në Beograd”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook./21Media

Back to top button