Vjedhja e arit në vlerë prej 70 mijë euro, arrestohet një i dyshuar

Të enjten nga zyrtarët e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, me datën 20.01.2023, ku nga persona të dyshuar janë vjedhur stoli ari dhe bizhuteri (në vlerë rreth 70000 euro).
Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se puna e hetuesve policor është finalizuar të enjten, ku pas marrjes së disa veprimeve operative, kanë arritur që të arrestojnë personin e dyshuar, si dhe të sekuestrojnë një veturë që dyshohet të jetë përdorur në rast.
Tutje në njoftim thuhet se pjesë e aksionit ka qenë kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar, i cili është realizuar në koordinim me prokurorin e shtetit dhe gjyqtarin e procedurës paraprake.
Personi i dyshuar, K.S mashkull, 35 vjeç, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore me vendim të prokurorit, është dërguar në qendrën e mbajtjes./21Media

Back to top button