Vjedhje e rëndë në Istog, arrestohen katër të dyshuar
Në fshatin Lubozhdë të Istogut janë thyer disa shtëpi dhe janë vjedhur një veturë “WV Pasat” ngjyrë hiri, plug traktori, një televizor, një kompjuter dhe dru për djegie.
Këto vjedhje janë raportuar gjatë muajit janar.
Lidhur me këto vjedhje, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona të dyshuar.
“Policia menjëherë ju ka përgjigjur të gjitha rasteve dhe ka kryer shikimin e vendit ngjarjes. Hetuesit e Stacionit Policor Istog, në mënyre intensive kanë punuar për ndriçimin dhe arrestimin e kryerësve të këtyre veprave penale”, thuhet në njoftimin e Policisë për media, përcjellë rtv21.tv.
Ndërsa më tutje shtohet se me datë 24 janar janë identifikuar dhe janë arrestuar këta persona.
“Janë arrestuar katër persona të dyshuar, M. H. i lindur me 2000, K. V. i lindur me 2002, E. H. i lindur me 2002 dhe A. G. i lindur me 2002”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit dy të dyshuarit e parë me urdhër të Prokurorit shtetit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia njofton se rasti po vazhdon të hetohet./21Media