Kaloni te përmbajtja kryesore

Vjosa Osmani prezanton edhe një aderim tjetër në ekipin e saj

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar afrimin e Besim Kodrës në një rrugëtim politik, duke e vlerësuar angazhimin e tij shumëvjeçar në fushën e shëndetësisë dhe të drejtave të pacientëve.

Kodra, jurist dhe aktivist, është i njohur për punën e tij përmes Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) dhe për përfshirjen në politika shëndetësore në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Osmani shkruan se ai pritet të kandidojë me synimin për të përfaqësuar kauzën e pacientëve dhe interesin publik në Kuvendin e Kosovës.

Postimi i plotë:

Kosovës i duhen njerëz që punojnë për kauza që shkojnë përtej vetvetes. Njerëz që i bashkohen një rrugëtimi politik vetëm e vetëm për të shërbyer, ashtu siç po bën prej vitesh Besim Kodra.

Për më shumë se një dekadë, ai ka qenë pranë pacientëve dhe familjeve të tyre, aty ku njerëzit kanë pasur nevojë për ndihmë, dinjitet, mbështetje dhe shpresë.

Besimi zgjodhi përherë angazhimin. Ai zgjodhi të bëhet zë për ata që shpesh nuk kanë pasur përfaqësim. Për pacientët. Për familjet që luftojnë çdo ditë. Për qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre.

Si jurist dhe ekspert i fushës së shëndetësisë dhe të drejtave të pacientëve, ai ka kontribuar në hartimin e politikave, në forcimin e llogaridhënies dhe në mbrojtjen e interesit qytetar, duke përfaqësuar Kosovën edhe në iniciativa rajonale, evropiane e globale.

Përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Besimi ka dëshmuar se humanizmi është përkushtim i përditshëm ndaj njerëzve.

Këtë mision Besimi do ta vazhdojë në një tjetër betejë: për ta përfaqësuar kauzën e pacientëve në Kuvend.

Jam e bindur se Besimi do të jetë një zë i fuqishëm për pacientët, për qytetarët dhe për interesin publik.

Besim mirë se vjen!

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button