Vlerësohet se nuk ka arsye për t’u kundërshtuar anëtarësimi i Kosovës në KiE

Raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Kështu u tha në takimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës të hënën.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti tha se raporti për Kosovën është pozitiv dhe tani s’ka asnjë arsye për të kundërshtuar dhe as vonuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Në anën tjetër, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, njëherësh edhe kryesuese e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, tha se është dëshmuar se Kosova qëndron mirë në aspektin legjislativ me standardet e Këshillit të Evropës, por kërkoi lobim të vazhdueshëm për të përmbyllur fazën finale të anëtarësimit në KiE.
Detaje më të mëdha për raportin e juristëve eminentë të KiE-së për Kosovën dha këshilltarja e jashtme në MPJD, Adelina Hasani.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, ndërkaq këtë vit Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur që kërkesën për aplikim të Kosovës në t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për procedura të mëtejme. Së fundmi juristët eminentë të Këshillit të Evropës kanë publikuar raportin për Kosovën sa i përket përputhshmërisë së legjislacionit kosovar me standardet e KiE-së.