VMRO-DPMNE e pranon se është opozitë!

VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit sot për herë të parë e pranoi publikisht se Zoran Zaev ka shumicë parlamentare

Zaev akuzohet se ka bllokuar proceset politike për arsye se nuk ia ka dhënë më herët garancinë presidentit Ivanov, e sikur ta bënte këtë gjë më herët, sipas VMRO-së tani do ishin mbajtur zgjedhjet lokale dhe do debllokoheshin proceset politike.

“Nëse Zaev do e jepte garancionin te cilin e kërkoi më herët presidenti Gjorgje Ivanov, deri tani do të debllokoheshin të gjitha proceset dhe do të ishin mbajtur zgjedhjet lokale. Garancinë të cilin Zaevi e nënshkruajti sot nuk është nënshkruar edhe nga të parët e partive shqiptare të cilët i dhanë mbështetjen e tyre. Në emër të shumicës parlamentare është nënshkruar vetëm Zoran Zaev”, tha Todorov, shkruan TV21.TV

Dhënien e mandatit e përshëndeti kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Ai tha se hapat e ardhshëm do të jenë përcaktues dhe vendimtar dhe se shumica e re do ta vihet në shërbim të reformave në përputhje me pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar.

“Mirëpres dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re reformuese në përputhje me Kushtetutën. Siç edhe thash qysh në fillim, ne do të veprojmë në përputhje me vullnetin e qytetareve dhe kthim mbrapa nuk ka”, tha Ahmeti.

Kohëve të fundit kur Lëvizja Besa është pyetur nëse do të jenë pjesë e qeverisë së Zoran Zaevit, thonin se presin që ky i fundi të merr mandatin, ndërsa pas dhënies së mandatit, Besa thotë se tani do të zhvillojnë bisedime konkrete që të jenë pjesë e qeverisë reformuese.

“Me këtë rast Lëvizja BESA thekson se ajo nuk lejoi që të shpiken gjëra të paparapara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke penguar kështu krijimin e precedentëve që mund të linin pasoja edhe në të ardhmen. Prandaj, ashtu si deri më tash, Lëvizja BESA mbetet e përkushtuar në procesin e zgjidhjes së krizës, duke zhvilluar bisedime për të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë politike”, thonë nga Lëvizja Besa.

Aleanca për Shqiptarët dhënien e mandatit e sheh si shpresë për një të ardhme më të mirë të shtetit.

“Aleanca për Shqiptarët përshëndet aktin e dhënies së mandatit Liderit të LSDM njëherit edhe kandidatit për Kryeministër z. Zoran Zaev, duke vlerësuar si një fillim shprese për qytetarët e Maqedonisë, në krijimin e një Qeverie reformuese, të barabartë për qytetarët e saj, duke hapur shtigje dhe perspektiva, demokratike, zhvillimore dhe integruese për Maqedoninë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi disa herë që të mandatojë Zoran Zaevin për të formuar qeverinë, duke i kërkuar këitij të fundit garanci se qeveria e re nuk do të rrezikonte unitaritetin dhe kushtetutshmërinë e shtetit të Maqedonisë. Pas kërkesës së krye parlamentarit Talat Xhaferi për dhënien e mandatit, dhe pasi Zoran Zaev shkroi garancinë, Ivanov sot e dha mandatin duke e njohur shumicën e re parlamentare./21Media

Back to top button