Voller: Hoti do të vazhdojë sukseset e Mustafës në qeveri

Hoti ka premtuar se qytetarëve të Kosovës do t’ua sigurojnë liberalizimin e vizave shumë shpejt

Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Partive Popullore Evropiane (PPE), Patrick Voller, ka thënë të mërkurën në Prishtinë, se i nominuari për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, pas fitores në zgjedhjet e 11 qershorit do të vazhdojë sukseset e kryeministrit Isa Mustafa në Qeverinë e Kosovës.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët dhe elektoratin e Degës së Parë të LDK-së në Prishtinë.

“Jemi shumë krenar që LDK është pjesë e familjes së madhe evropiane – Partive Popullore, njëherësh edhe grupimi më i madh politik në Evropë.

Rrugës për në Prishtinë është edhe presidenti ynë, Joseph Daul, i cili po vjen për të shprehur përkrahje për LDK-në. E falënderoj kryeministrin Mustafa për punën që ka bërë në Kosovë dhe po ashtu falënderoj për punën e madhe që ka bërë për Prishtinën”, ka thënë Voller.

Ai ka shtuar se është i bindur në fitoren e LDK-së dhe partnerëve të koalicionit të saj në zgjedhjet e 11 qershorit.

Ndërsa, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria e re do ta plotësojë kriterin e demarkacionit dhe do t’i liberalizojë vizat për qytetarët.

“Ne do ta zgjidhim çështjen e demarkacionit pa e humbur asnjë pëllëmbë të tokës së Kosovës, pa cenuar raportet me fqinjin tonë, Malin e Zi dhe në partneritet me aleatët tanë, sepse ne jemi të përgjegjshëm përpara qytetarëve tanë dhe përballë obligimeve ndërkombëtare të shtetit tonë”, ka thënë ai.

Hoti ka premtuar se qytetarëve të Kosovës do t’ua sigurojnë liberalizimin e vizave shumë shpejt, derisa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se qeveria e ka gjetur buxhetin me qindra miliona euro borxh më 2014.

“Ne e kemi rritur buxhetin për 400 milionë euro dhe i kemi ulur taksat për bizneset 50 milionë euro. Kjo qeveri ka stabilizuar financat e shtetit dhe është e vetmja qeveri që, duke ruajtur dhe forcuar partneritetin me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka gjetur zgjidhjen për kategoritë e dala nga lufta çlirimtare”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, është i vetmi që ofron një program me zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.

“Koalicioni ynë ka program të harmonizuar. Ky program i garanton Kosovës zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale, arsimim e shërbim shëndetësor cilësor. Çka është kryesorja, ne jemi të vetmit që kemi demonstruar vendosmëri dhe jemi të përkushtuar ta luftojmë pa kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta mbrojmë vendin tonë prej terrorizmit”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i Degës së parë të LDK-së në Prishtinë, Ismet Beqiri, ka thënë se LDK dhe partnerët e saj posedojnë programin e vetëm për zhvillimin e Kosovës.

“Neve nuk na trembin sondazhet e porositura me qëllim krijimin e opinionit se koalicioni i natës është favorit. Me ne janë bashkuar gjenerata e pavarësisë dhe gjenerata e Republikës. Qeverinë e re do ta krijojmë ne. Me duart e pastra dhe pa asnjë prej kapësve të shtetit dhe zhvatësve të pasurisë nacionale të Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Back to top button