Von Bone: Forcat serbe kryen një prej krimeve më të rënda kur vranë fëmijët e familjes Jashari në Prekaz

Mbrojtja e Salih Mustafës ka filluar të paraqes deklaratën hyrëse para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në pjesën e parë të saj, avokati Julius Von Bone ka folur për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në anën tjetër për krimet të cilët i ka kryer Serbia mbi civilët shqiptar në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Në hapje të deklaratës, avokati i Mustafës ka thënë se sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz ka shërbyer pikë kthese për rezistencën e popullit të Kosovës.
“Adem Jashari konsiderohet si komandant legjendar i UÇK-së, përpjekjet e tij patriotike dhe heroike për çlirimin e Kosovës mbajnë mend edhe sot e kësaj dite në Kosovë, pra, për çlirimin nga një regjim brutal. Me 5, 6, dhe 7 mars të vitit 1998 forcat ushtarake dhe policore sulmuan kompleksin e familjes së Adem Jasharit në Prekaz të zonës së Drenicës. Forcat serbe mendonin se me vrasjen e të gjithë familjes Jashari rezistenca e popullit kosovar do të kishte marrë një goditje përfundimtare, aq sa do të ndalonte rezistenca. Vrasja në masë e 59 njerëzve në kompleksin e familjes Jashari, në mes së cilëve edhe shumë fëmijë, disa prej të cilëve jo më shumë se 7 vjeç, është një prej krimeve më të këqija të regjimit serb të kryera ndonjëherë në Kosovë. Një prej krimeve të shumta që kanë kryer forcat serbe në Kosovë”, ka thënë avokati i Salih Mustafës.
Duke e kujtuar sulmin brutal të forcave serbe, Von Bone e ka quajtur atë regjim shtypës por që ka hasur në një rezistencë të fortë me një mbështetje të gjerë në gjithë popullin e Kosovës.
Ndërsa lidhur me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, Von Bone ka thënë se ishte ndërhyrje humanitare e cila ishte tejet e nevojshme.
“Forcat serbe nuk i ndaluan veprimet e tyre për spastrim etnik aso kohe. Ato vazhduan në mënyrë të rregullt dëbimin me forcë të qytetarëve kosovar me kombësi shqiptare nga shtëpitë e tyre. Data më e rëndësishme në këtë kuadër është deportimi në masë të madhe i shqiptarëve nga stacioni i trenit të Prishtinës. Më 31 mars 1999 që është një tjetër ditë e ngulitur thellësisht në mendjet e shumë qytetarëve kosovar, ka ndodhur kjo, që ishte edhe një ngjarje me rëndësi në Kosovë. Kjo është përshkruar si një prej ngjarjeve të rëndësishme në raportet e OSBE-së të cilat mund t’i gjeni në dosjet e çështjes. Bëhet fjalë për spastrimin e lagjeve të Prishtinës”, ka thënë Von Bone.
Gjatë deklaratës hyrëse, mbrojtja e Mustafës ka folur për dëbimin e shqiptarëve nga pronat e tyre në Kosovë.
Ndërsa lidhur me aktakuzën ndaj të mbrojturit të tij, Von Bone ka folur më shumë për lokacionet në Kosovë dhe pjesën e Zllashit.
Ai ka prezantuar edhe fotografi e video-incizime para trupit gjykues por të njëjtat nuk janë bërë publike.
“Nuk ka një material të përcaktuar në dosjen e çështjes gjyqësore rreth Zllashit, ne e dimë me përafërsi se ku ndodhet Zllashi pr nuk ka një përcaktim kufijsh të qartë të kësaj zone, ajo është një zonë e madhe ku shtëpitë janë të shpërndara në të gjithë zonën. Nuk ka një qendër të Zllashit ose fshat i Zllashit, në pikëpamjen administrative zona e Zllashit bie nën Mramos që është një fshat goxha më i madh ën cep të zonës malore, për të shkruar në Zllash nga Prishtina është goxha rrugëtim, veçanërisht për të shkuar në vendin e përcaktuar në aktakuzë. Është një udhëtim që kalon nëpër male, në pjesën dërrmuese të kohës në rrugë të pashtruara. Është ftohtë gjatë dimrit, rrugët janë plot me baltë dhe është e vështirë të udhëtosh me veturë”, ka thënë ai.
Von Bone do të vazhdojë paraqitjen e deklaratës hyrëse të mbrojtjes gjatë ditës së sotme. Ndërsa para trupit gjykues nesër do të flas dëshmitari i parë i mbrojtjes.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./Kp

Back to top button