Von Cramon: E paligjshme hyrja e forcave serbe në Kosovë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i ka reaguar ashpër Beogradit pas kidnapimit të tre policëve kufitarë në veri.

Cramon tha se është e paligjshme hyrja në territorin e Kosovës me forcat speciale të policisë serbe duke prangosur policët si kriminelë lufte.

Cramon theksoi se Vuçiq, është një autokrat i cili, për ta larguar vëmendjen nga problemet që ka në Serbi, ka krijuar incident në zonën kufitare me Kosovën.

“Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion brenda vendit? Ata kërkojnë mënyra dhe mjete për të larguar vëmendjen nga problemet në shtëpi. Një rast klasik i kësaj duket të jetë incidenti i djeshëm në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Protestat e rrugës vendase të Vuçiqit në Beograd duket se janë një nga arsyet kryesore të trajtimit krejtësisht të tepruar dhe të papërshtatshëm të tre rojeve kufitare nga Kosova. Sipas informacioneve në dispozicion, zyrtarët e Policisë Kufitare të Kosovës nuk kanë lëvizur me veturat e tyre, por me sa duket në këmbë në korridorin 1000 metra deri në kufirin serb. Edhe nëse ky operacion do të paralajmërohej, është e paligjshme të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të policisë serbe dhe të lidhësh policët si kriminelë lufte, t’i çosh në Beograd dhe t’i arrestosh ata atje”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Tutje tha se Serbia për t’u bërë anëtare e BE-së, duhet të ndjekë sundimin e ligjit, kështu, duhet që policët e Kosovës të lirohen sa më shpejtë.

Tre zyrtarë kufitarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar të mërkurën nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri. Njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

Back to top button