Von der Leyen kërkon që Kosova “të ndërtojë institucione të forta”

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë që të ndërtojë institucione të forta.
Ajo në një postim në rrjetin X, pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor jenë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta”, ka shkruar ajo duke përmendur edhe rëndësinë e uljes së tensioneve në vend.
Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027, prej tyre dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë janë në formë kredie me këste të favorshme.
Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Ursula von der Leyen takoi Kurtin në Kuvend
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe Presidentes së e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Takimi u zhvillua në Kuvend, derisa pas takimit nuk pati prononcime për media.
Osmani në takim me Von der Leyen kërkon heqjen e masave: Kosova duhet të marrë statusin kandidat për anëtarësim në BE
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidenca njofton se Osmani gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces. Tani që Kuvendi është konstituuar, Presidentja shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit.
“Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE. Në takim, Presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se ato diskutuan edhe për për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian.
“Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Përveç kësaj, Presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, përfundon njoftimi./21Media
Kurti priti Ursula von der Leyen në Kuvend
Kryeministri në detyrë Albin Kurti priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kuvendin e Kosovës.
Para takimit mediat morën pamje.
Osmani priti Ursula von Der Leyen
Ka filluar takimi i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Kjo e fundit e priti von der Leyen në Presidencë.
Ursula von der Leyen e takon Albin Kurtin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë sot Kosovën meqë rast do të ketë takime edhe me krerët shtetëror.
Von der Leyen pritet të takohet sot me presidenten, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
E para e Komisionit Evropian, kryeministrin në detyrë nuk do ta takojë në objektin e Qeverisë së Kosovës, megjithatë takimi do të realizohet në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Këtë njoftim e ka konfirmuar Zyra e Kryeministrit me anë të një njoftimi për media duke theksuar se takimi mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në sallën numër 301 në ora 14:05.
Kujtojmë se Ursula von der Leyen ka vizituar para pak ditësh edhe Shqipërinë.
Von der Leyen vjen sot në Kosovë
Vizita e shefes së bllokut evropian në vendin tonë është planifikuar si pjesë e një vizite në Ballkanin Perëndimor për të nënvizuar mbështetjen e BE-së për rrugën e rajonit drejt anëtarësimit në BE dhe anëtarësimit gradual në tregun e përbashkët të BE-së, si dhe për të diskutuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ish-diplomatja Alma Lama, vizitën e Von der Leyenit në Kosovës e cilëson si të zakonshme pa ndonjë risi sa i përket raporteve me vendin tonë teksa pret që në fokus të vizitës të jetë edhe çështja e masave ndëshkuese.
“Një nga vizata e saj rutinore si shefe e komisionit evropian me mesazhe për integrim evropian dhe agjendën perspektiven Evropian. me sa di unë është vizitë përpara publikimit të raporteve dhe s’është që ka ndonjë risi sa i përket raporteve me Kosovën. Do të shohim çfarë impakti do ketë zhvillimi i zgjedhjeve dhe pjesëmarrja e serbëve sepse ka qenë një nga kushtet e sanskionimit. Masat janë ende ne fuqi besoj se përfaqësuesit e ks do kërkojmë të hiqen megjithëse duhet plotësuar kushtet e tjera”, tha Lama për RTV21
Takimet e paralajmëruara me Osmanin dhe Kurtin ende nuk dihet se në ç’orë dhe vend do të mbahen marrë parasysh se BE-ja javë më parë kishte pezulluar takimet me kryeministrin në detyrë në kryeministri deri në ardhjen e një qeverie me mandat të plotë.
Drejtori i Institutit për Lidership Civil, politologu, Argjend Zejnaj pret që Von der Leyen gjatë qëndrimit në Kosovë ndër të tjera të japë një përgjigje përfundimtare sa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Fillimisht te shohim ku zhvillohet takimi. A do ta ..e dyta besoj e do duhej praktikisht te na jepte një përgjigje çka do te ndodh me masat pas kësaj vizite a do hiqen vërtetë apo do te kemi vazhdimësi te lojërave te fjalëve nga dy palët. Dhe është një mesazh qe KS dhe Serbia duhet të vazhdojnë të ruajnë stabilitetin në ballkan. Dhe do jete një mesazh edhe për listën serbe që te jetë me e kujdesshme ne qasjen e tyre karshi Kosovës. Do diskutohet shkarazi… jemi te panlzum sa i përket planit te zgjerimit për shkak edhe te masave dhe te mos koordinimit te qeverise Kurti me be. Duke qene se jemi ne masa nuk besoj se në kuptim afatshkurtër të përfitojmë nga këto fonde, tha Zejnaj.
Ciklin e vizitave në Ballkanin Perëndimor, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka nisur një ditë më parë në Tiranë për të vazhduar më pas në Mal të zi e Bosnjë e Hercegovinë. Vizita e saj në Ballkan përfundon në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të Presidencës, takimi mes Presidentes Osmani dhe Presidentes von der Leyen do të zhvillohet në orën 13:00.
Von der Leyer vizitën treditore në rajon ajo e filloi të hënën në Tiranë, ndërsa do ta përfundojë të mërkurën në Shkup.
Kjo është vizita e parë e Von der Leyen në rajon gjatë mandatit të saj të dytë, megjithëse ajo kishte vizituar gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor saktësisht një vit më parë, në përfundim të mandatit të saj të parë./RTV21/21Media