Votohet në referendum, Berisha pyet demokratët: A jeni dakord për shkarkimin e Bashës?
Anëtarët e Partisë Demokratike mbështetës të Sali Berishës janë thirrur sot në referendum për ratifikimin e vendimit nr. 6 të Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.
Qendrat e votimit në 12 qarqet e vendit u hapen në orën 8:00 dhe do mbyllen në orën 17:00.
Njoftimet zyrtare do të bëhen nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.
Raportimi i parë për hapjen e qendrave të votimit dhe funksionimin e plotë të votimit në të gjithë Shqipërinë u bë rreth orës 8:30.
“Te gjitha qendrat e votimit jane hapur dhe votimi per ratifikimin e vendimit nr 6 te Kuvendit Kombetar -shkarkimin e Lulzim Bashes, ka nisur masivisht”, njoftoi zëdhënësja Garo.
Raportimet e përqindjes së pjesëmarrjes në votime do të bëhen çdo dy orë, duke filluar me raportimin e parë në orën 10.30.
Komisioni do të jetë në terren për verifikimin e ecurisë së procesit të votimit.
Përplasjet brenda PD-së kanë filluar qysh nga muaji shtator kur kreu aktual i kësaj partie, Lulzim Basha u rreshtua në mbështetje të kërkesave të administratës amerikane për ta larguar Berishën nga grupi parlamentar i partisë. Berisha, i cili ka paditur sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken në një gjykatë në Francë për t’i kontestuar akuzat për korrupsion që përbëjnë bazën e veprimit amerikan për ta shpallur atë person të padëshirueshëm.
Berisha ka vazhduar me akuza ndaj administratës amerikane duke theksuar se nuk do të lejojë që zyrtarët amerikanë të sillen si guvernatorë në Shqipëri.
Në maj, Departamenti amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në siç është thënë korrupsion të gjerë./21Media