Votojnë banorët e shtëpive të të moshuarve: Më parë votonim me gajde dhe tupanë, rregulloheshim si për dasmë

“Ju bëftë mirë! Ju bëftë mirë!”

Këto janë të banorët e shtëpisë së të moshuarve “Nënë Tereza”. Pasi votuan janë ulur dhe po e shijojnë kafenë së bashku. Nuk e dinë as vetë sa palë zgjedhje kanë kaluar por thonë se gjithnjë votojnë. Për ta dita e zgjedhjeve është e rëndësishme dhe e përcollën edhe me këngë.

“Më herët ishte shumë më interesant, votonim me muzike, me gajde dhe tupanë… me festë. Ishte punë e madhe, njerëzit rregulloheshin si të shkojnë në dasma. Ajo u humb tani pak, shkuam në kohë bashkëkohore megjithatë është mirë të ketë qetësi në vend, të merren vesh për gjithçka dhe të kenë gjuhë të përbashkët”, tha një pensionist.

Pensionistët porositën politikanët që të krijojnë një ambient më të mirë për të rinjtë që të mos ikin nga vendi, si dhe porositën të tjerët që të dalin për të votuar.

“Na pengon që ikin të rinjtë, pyes përse, sepse nëse e kanë mirë këtu nuk ikin në vend të huaj, duhet të mbesin në vendin ku janë lindur e atë le ta rregullojnë, sepse Maqedonia do t’i ngel pensionistëve e prej nesh nuk ka asgjë”, theksoi një pensionere.

“Votimi shkoi mirë, kishte rregull, këtu kemi votuar katër herë gjithsej. I rekomandoj të gjithëve që të realizojnë këtë të drejtë sepse mosdalja në zgjedhje nuk është kulturë”, deklaroi një pensionere.

Nga gjithsej 66 banorë sa numëron kjo shtëpi, të drejtën e votës e realizuan gjithsej 46 të moshuar.

“Votimi shkoi shkëlqyeshëm nga gjithsej 66 persona, votuan 46, e të tjerët do ta realizojnë të drejtën e votës në vendet ku jetojnë. Votimi shkoi më së miri”, theksoi Dean Petrov – udhëheqës i shtëpisë së të moshuarve “Nënë Tereza”.

Ndryshe përveç të moshuarve në shtëpitë e pleqve, sot votojnë edhe të pafuqishmit, të burgosurit dhe diaspora./TV21

Back to top button