“Votoni për mua” – Programi qendror festiv në RTV21

Ndër vite, ashtu si gjatë vitit 2024, Radiotelevizioni 21 është dëshmuar si media që përkujdeset për shikuesit, duke ofruar programe të shumta e të llojllojshme. Dhe, natyrisht që audienca i ka qëndruar besnike shtëpisë sonë mediale, duke e mbajtur në krye të listës së televizioneve më të shikuara dhe medieve më të besuara.
Në traditën e vetë të kahmotshme, Radiotelevizioni 21 ka bërë përpjekjet e nevojshme që festa gjashtë ditore e pritjes së Vitit të Ri 2025 të jetë e ngrohtë, me muzikë të mirë, argëtim të këndshëm, dhe plotësim qejfesh e shijesh për të gjithë.
Në fillim të 2024-tës, urimet ishin të shumta – me shpresë për ndjellje të mirësive dhe një vit të mbarë. Por, për shumicën ky qëlloi vit i vështirë. Në fund të vitit të vjetër, duke synuar që të mbrapshtat të mbesin, e të mbarat të arrijnë me Vitin e Ri – Radiotelevizioni 21 sjellë program festiv gjashtë ditor, duke realizuar traditën e vet të përvitshme.
Festa e përcjelljes së të vjetrit, në pritje të riut, fillon herët në Televizionin 21.
Paraditja e fundit e dhjetorit në “Për Ditë të Mbarë” iu kushtua kushteve dhe kushtëzimeve, të furnizimit me energji elektrike, të gatishmërisë së nivelit komunal për shërbime ndaj qytetarëve.
Ndërkohë pasditja i takoi programit festiv dy-orësh, “BonBon”, ku të ftuarit nga sfera të ndryshme shoqërore bëjnë rezymenë e 2024-tës, duke shpalosur kujtime nga festimet e Vitit të Ri ndër vite. Në BonBon, pos muzikës u paraqitën rrëfime për shpirtin festiv e bamirës të shoqërisë sonë, me gjenerata të reja u diskutua për gazetarinë.

Radiotelevizioni 21 përherë është angazhuar që në festa, veçanërisht në pritje të Vitit të ri, të ketë programe me koncepte të lloj-llojshme. Duke mos e thënë për rrahje gjoksi a për mburrje, por me përpjekje madhore, nga menaxhmenti, produksioni dhe i gjithë personeli i Radiotelevizionit 21 të Kosovës e të Televizionit 21 të Maqedonisë së Veriut, është arritur qëllimi që programi të jetë tërheqës dhe me bindje, më i vlerësuari për shikuesin e mbrëmjeve festive.
Festa e mbrëmjes, e pritjes së Vitit të Ri nisë me programin festiv muzikor për fëmijë, që në orën 20:30. Program për fëmijët, Radiotelevizioni 21, ka planifikuar gjatë të gjitha ditëve të para të vitit 2025, që transmetohen në termine të ndryshme.
Përderisa tryezat fillojnë e mbushen në cdo shtëpi, ka gjasa të mëdha që familjet kosovare të diskutojnë për zgjedhjet, meqë politikanët kanë zhvilluar atë që u quajt para-parafushatë zgjedhore, dy muaj para zgjedhjeve.
Dy orë e gjysmë para përmbylljes së 2024-tës, në RTV21, fillon Programi Qëndror Festiv. Kabareja “Votoni për mua”, me muzikë autoriale, me tekste këngësh nga Xheraldina Vula.

Kabareja “Votoni për mua”, e mbushur me humor e satirë, bërë me skenar të Florin Kelmendit, sjellë në skenë Mensur Safqiun, Zana Berishën, Leonora Poloskën e Florin Kelmendin, e pokështu marrin pjesë artistë të estradës kosovare të cilët parodizojnë përditshmërinë tonë, si dhe luftën për pushtet.
Orët e hershme të Vitit 2025, kalohen me muzikën popullore e argëtuese të një programi të kuruar nga kompozitori i mirënjohur, Naim Krasniqi. Specialitet i producentit Naim Krasniqi janë edhe këngët parodi të punuara me mjeshtëri, që zënë vend në skemën festive në RTV21.
Për të dhënë energji të mirë, Radiotelevizioni 21, në natën e datës një janar, sjellë emisionin festiv “Ftohtë e Nxehtë”. Në këtë program festiv, Graniti ka mbledhur emra të njohur të muzikës dhe artit shqiptar për një mbrëmje plot atmosferë e argëtim.

Emisioni nisë me një pritje të veçantë të mysafirëve, që hyjnë në sallën e dekoruar, ku pastaj fillon edhe programi me intervista dhe muzikë LIVE.
“Ftohtë e Nxehtë” në natën e parë të 2025-tës, të ftuarit i ballafaqon me pyetje provokuese dhe sfida interesante, përderisa performancat LIVE shtojnë gjallërinë dhe ritëm.
“Odeon show” – është programi festiv, që në natën e dy janarit përmes Televizionit 21, siç do të thoshte Naim Abazi: me përplot glamur, për ju, për ne, për të gjithë, shikuesve u servon këngë tipike për një kremte që bën bashkë familjet e miqtë.
Një tjetër veçanti e programit festiv në RTV21 janë programet e shkurtëra me muzikë zhanresh të ndryshme nga artistë e këngëtarë të ndryshëm. Këto programe muzikore janë shpërndarë në të gjitha ditët e kremtes së Vitit të Ri, nga mëngjesi deri në darkë, duke shëtitur në zhanret folklorike, popullore e qytetare.
Edhe darka e të premtes do të ketë atmosferë të mirë, muzikë të këndshme në programet e kuruara nga artistët e mirënjohur të skenës sonë.
Kur flitet për 21-shin, nuk ka nevojë të potencohet se diaspora zë vend të rëndësishëm. Dihet mirëfilli se bashkatdhetarët e shpërndarë nëpër botë e kanë punën mirë me Radiotelevizionin 21. Shtëpia e Diasporës, “Fol Shqip Show”, hapet me tre janar, nga ora 23.
Ndërkohë, duke ditur se 21-shi ka prodhuar e transmetuar program të pasur, argëtues e festiv gjatë dekadave të ekzistencës, në netët e dy dhe pesë janarit, transmetohet program festiv retrospektivë.
Ndërkaq të shtunën, mjuziklli i Radiotelevizionit 21; nga ora 23, me kolazh këngësh të njohura botërore, adaptuar në shqip, nga producenti muzikor Naim Krasniqi, me regji të Parta Kelmendit.
Që të dimë se si ecëm, se ku ngecëm, çfarë gabuam, e ku të ndreqemi, përmbledhja e zhvillimeve kryesore në Kosovë gjatë vitit 2024, përmbledhja e ngjarjeve kryesore që e karakterizuan skenën shoqërore e politike në Republikën e Kosovës, gjen vend në skemën programore të Radiotelevizionit 21 në mbrëmjen e 31 dhjetorit, menjëherë pas lajmeve, por edhe në mesditën së 1 janarit, dhe paraditen e dy janarit.
Përmbledhja vjetore për sportin në Kosovë gjatë 2023-tës, vjen në RTV21 më 1 janar pas orës 19:00, e më dy janar, në 13:35, për të shënuar arritjet e sportistëve më elitarë të vendit.
Ndërkaq ngjarjet kryesore që zunë vend në lajmet nga bota, të përmbledhura në një emision të veçantë i gjeni, më dy dhe pesë janar, në 13:10 minuta.
Rezymeja e zhvillimeve të kulturës kosovare, duke përfshirë segmentet kryesore, nga arti deri te trashëgimia kulturore, lëvdatat, ngecjet, politikat, e shumëçka, nga rrëfimet e drejtuesve institucionalë, në RTV21, në mesditën e 1 janar, dhe më 3 janar në mbrëmje.
Më tre janar listohen filmat më të shikuar të vitit 2024, në emisionin kushtuar kinematografisë, “35 milimetra”. Pokështu, për filmdashësit, sikur përherë në kremtimet për Vitin e Ri, RTV21 ofron Maratonën e filmave, me filma premierë çdo ditë e çdo natë.
Vërtet që programi i Radiotelevizionit 21 sjellë atmosferë kremteje, përplot befasi e kënaqësi – ndjellje për mirësi.
Televizioni që ju shoqëron gjatë të gjithë vitit, Radiotelevizioni 21, ju uron GËZUAR VITIN E RI 2025!