​“Vrapo Babadimër”, do të ndihmohen 250 familje me nevoja për fundvit

Rreth 3.500 qytetarë të veshur si babadimra kanë vrapuar sot përgjatë edicionit të tetë “Vrapo Babadimër” me moton “Bëhu Babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje”, si rezultat i së cilës do të ndihmohen 250 familje në nevojë dhe reparti i hematologjisë pediatrike.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha për KosovaPress se përmes kësaj iniciative me karakter humanitar do të ndihmohen 250 familje me nevoja në Kosovë dhe reparti i hematologjisë në pediatri për festat e fundvitit.

Themeluesi dhe organizatori i aktivitetit “Vrapo Babadimër” Jusuf Islami tha se përmes këtij aktiviteti të sotëm do të ndihmohen familje në nevoja dhe reparti i pediatrisë me shtretër për nënat kujdestare.

Islami bëri të ditur se synojnë që në ardhmen ky aktivitet të ketë një numër edhe më të madh të pjesëmarrësve.

Ndryshe, kostumet e Babadimrit kanë qenë në dispozicion për blerje nga data 5 dhjetor e deri dje në sheshin “Zahir Pajaziti”, Prishtinë.

Babadimrat pjesëmarrës në këtë aktivitet humanitar kanë vrapuar nga sheshi “George Bush” te Katedralja, duke kaluar nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe duke u kthyer prapa në rrethin e flamurit.

Back to top button