Vrasja e 23 vjeçarit në Mitrovicë, arrestohet edhe një person

 

Është arrestuar personi i dytë për vrasjen e 23 vjeçarit M.K.

Policia e Kosovës për Rajonin e Mitrovicës nëpërmjet një komunikate për medie kanë treguar se është arrestuar B.H 24 vjeçar i cili dyshohet të jetë përfshirë në veprën penale “vrasje e rëndë” që kishte ndodhur me 12 shkurt 2021 në Mitrovicë.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, dy ditë më parë kanë arrestuar personin e dytë të dyshuar B. H., 24 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, për përfshirje në veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Identifikimi dhe arrestimi të dyshuarit është bërë mbi dyshimet e bazuara për përfshirje në veprën penale “Vrasje e rëndë” e ndodhur me datën 12 shkurt 2021 në Mitrovicë, ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit ka vdekur viktima M. K., 23 vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa gjatë ditës së sotme në cilësi të provës materiale, në lidhshmëri me të dyshuarin është lokalizuar vendi ku i dyshuari kishte fshehur armën, me ç’rast nga ana e hetuesve policorë është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit ‘pistoletë’ e cila dyshohet të jetë përdorur në veprën penale.

Si pjesë e veprimeve hetimore deri më tani janë realizuar edhe bastisje në lokacione të ndryshme. Ndërkohë që hetuesit policorë e kanë të njohur edhe identitetin e dy personave të tjerë të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor.

Hetimet janë duke vazhduar në drejtim të kapjes së të dyshuarve të tjerë dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.

Back to top button