Vrasja e dy zyrtarëve të PDK-së në Pejë, lirohet nga paraburgimi i arrestuari
Avni Ademaj, vëllai i ish-kadidatit të PDK-së për kryetar të Pejës, i vrarë në një incident në Pejë më 8 shtator 2021, është liruar nga masa e paraburgimit.
Avni Ademaj po hetohet nga Prokuroria nën dyshimin se ka privuar nga jeta Blerand Kadriajn.
Me vendim të Gjykatës së Pejës Ademajt masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor.
“Po, është liru nga paraburgimi, tash i është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor”, tha mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollqaku.
Prokuroria thotë se në ditën kritike ishte lënë një takim mes viktimës Blerand Kadrijaj dhe Astrit Ademaj, në lokalin ku punonte i pandehuri Avni Ademaj.
Në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, Prokuroria pretendon se viktima Blerand Kadriaj ka shkuar me dëshmitarin L.L., për të biseduar lidhur me një mosmarrëveshje që e kishte pasur me Astrit Ademajn.
Prezentë gjatë takimit, sipas Prokurorisë, kanë qenë edhe i pandehuri Avni Ademaj dhe dëshmitari L.L.
Sipas Prokurorisë viktimat kanë filluar të fjalosen ku është acaruar situata dhe dy viktimat i kanë nxjerrë armët duke futur fishekët në tytë.
Dosja e Prokurorisë sqaron se gjatë fjalosjes i pandehuri Avni Ademaj ia merr armën viktimës Astrit Ademaj dhe me të njëjtën fillon të gjuajë në drejtim të të ndjerit Blerand Kadriaj, i cili po ashtu në të njëjtën kohë ka shtënë në drejtim të viktimës Astrit Ademaj dhe të dyshuarit Avni Ademaj, ku si pasojë e goditjeve të marra nga arma e zjarrit të të pandehurit Avni Ademaj është privuar nga jeta viktima Blerand Kadriaj.
Kurse Astrit Ademaj sipas Prokurorisë ka vdekur nga plagët e armës së viktimës Blerand Kadrijaj./kallxo.com