Vrasja e shtatzënës 35-vjeçare, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e përgjegjësve institucionalë

Shumë qytetarë kanë protestuar të enjten për vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare dje në oborrin e QKUK-së. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen nga përgjegjësit institucionalë të sigurisë dhe drejtësisë për vrasjen e Hamide Magashit.

Përmes marshit, para Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, protestuesit kanë vendosur mbishkrimin me ngjyrë të kuqe “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”. Ndërkohë, disa prej protestuesve hodhën edhe benzinë mbi objektin e qeverisë, ku për disa minuta i njëjti mori flakë, mirëpo u shua nga forcat policore të pranishme.

Me parullat dhe pankartat “Duam dorëheqje”, “Jo statuse, duam punë”, “Polici jeni bashkëfajtorë në vrasjen e grave”, “Edhe sa thirrje të humbura”, protestuesit kërkuan edhe armatosjen e grave, kundër burrave dhunues.

Përfaqësuesja e protestuesve, Bjeshka Guri, para ekzekutivit, tha se shteti po i lë gratë dhe vajzat pa siguri dhe mbrojtje edhe kur e kërkojnë atë.

“Dje ne u bëmë dëshmitarë edhe të një vrasjeje tjetër. Edhe një burrë e vrau një grua, shtatzënë në oborrin e QKUK-së. Sokol Haliti ia mori jetën Hamide Magashit dhe bashkë me të edhe fëmijës së saj të pa lindur. Kjo vrasje makabre, e dyta me radhë për më pak se një javë, nuk u bë veç nga dora e vrasësit. Hamidja u vra nga Sokoli dhe nga shteti, i cili po i lë gratë pa siguri, pa mbrojtje edhe kur ato marrin guximin të kërkojnë atë. E ndjera ishte në urdhër mbrojtje nga vrasësi i saj në momentin kur ajo u qëllua. Pra, shteti ishte paralajmëruar që në gusht të këtij viti se ajo mund të vritej, por ajo prapë e lejoi atë. Vrasja e Hamides sikurse e grave të tjera të vrarë nga burrat në Kosovë ka qenë e parandalueshme. Sikur shteti të merrte seriozisht jetën e grave, t’iu besonte dhe të trajtonte si jetë njeriu, ajo do të ishte gjallë sot bashkë me fëmijën e saj. Vrasja e djeshme është femicid, është vrasje që po alarmon se kjo shoqëri dhe ky shtet po mbahet mbi gjakun e grave. Gratë po vriten veç pse ato janë gra”, tha Guri.

Ajo shtoi se vajzat dhe gratë e Kosovës janë në luftë me burrat dhunues.

“Ne, vajzat dhe gratë e Kosovës jemi në luftë. Ne jemi në luftë të vazhdueshme me burrat. Patriarkatin dhe shtetin që po vazhdojnë të na dhunojnë dhe disa nga ne edhe t’i vrasin. Jemi mbledhur këtu për të kundërshtuar faktin se jeta jonë në Kosovë është duke u bërë çdo herë më e padurueshme nga dhuna, më e pasigurt dhe më e frikshme. Kësaj duhet t’i vjen fundi”, theksoi ajo.

Protestuesit paralajmëruan se kjo do të jetë protesta e fundit paqësore.

Gruaja shtatzënë u vra të mërkurën në oborrin e QKUK-së, ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë. Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes, ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button