Vrasja e shtatzënës, të enjten raportohet për veprimet institucionale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.
Haxhiu ka thënë se këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë.
“Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë! Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët. Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë. Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijun ende të pa lindur. Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë. Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë.Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu ka thënë se të enjten do të mblidhet grupi ndërministror që do të raportojë për veprimet institucionale, për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë.
“Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional. Familjarëve të viktimave, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta! Dhunuesit dënimin më meritor!”, ka thënë Haxhiu.
Një grua është vrarë sonte rreth orës 18:00 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, në Prishtinë. Pas marrjes së informacioneve, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ndërsa, sipas Policisë, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, një grua rreth 35-vjeçare./21Media