Vrasja në Kavajë, vetëdorëzohet i dyshuari

Është vetëdorëzuar në polici Habib Rexha, i cili dyshohet se e ka vrarë Arjan Gosën, në sy të babait.
Rexha ishte arratisur nga vendi i krimit.
“Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe ato të DVP Tiranë, për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit A. G., të kryer më datë 21.05.2023, ju informojmë se: Krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi. Si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët, shtetasi Habib Rexha u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Kavajë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, ka njoftuar Policia.