Vrasja te Proper Pizza në Mitrovicë, aktakuzë ndaj 4 personave

Prokuroria Themelore në Mitrovicë sot ka informuar se ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër të pandehurve L.S., B.H., V.I., dhe V.S., në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit  të rrezikshëm”.
“Prokuroria njofton opinionin se me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, i pandehuri L.S., me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e Proper Pizza në Mitrovicë A.B., vjen një konflikt mes pjesëmarrësve të dy grupeve, me ç`rast i pandehuri L.S., nxjerr pistoletën dhe shtënë në viktimën M.K., i cili vdes si pasojë e plagëve të marra, dhe predhat e goditin edhe B.H., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Me këto veprime i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale  “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”, ka informuar Prokuroria.
I pandehuri B.H., me datë 12 shkurt 2021, në orën 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë ka shtënë në drejtim të personit F.S., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe duke vënë në rrezik jetën e personave të grupit të Proper Pizza. Me këto veprime, sipas Prokuririsë i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I pandehuri V.I., datë 12 shkurt 2021, në orën 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën,e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu në mënyrë kërcënuese ka përdorur pistoletën, të cilën e ka pasur në posedim. Me këto veprime i pandehuri V.I., ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit  të rrezikshëm”.
Ndërsa, i pandehuri V.S., datë 12 shkurt 2021, në orën 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën, e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu e ka përdorur kundër grupit të Proper Pizza në mënyrë kërcënuese pistoletën të cilën e kishte në posedim.
Me këto veprime i pandehuri V.S., ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t`i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.”, është bërë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button