Vritet një person në Malishevë, i dyshuari dorëzohet në polici

Një person është gjetur i vrarë sot në Banjë të Malishevës. Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. “, tha ai.
Elezaj po ashtu bëri të ditur se në polici është dorëzuar i dyshuari .
“Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në koordinim të cilin janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj./21Media