Vuçiq flet nga Tirana për dinarin: Jemi të gatshëm për bisedime

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se të gjithë ndërmjetësit ndërkombëtarë janë kundër veprimeve të njëanshme të regjimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Në fjalën e tij për mediat pas samitit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tiranë, Vuçiq tha se vendi i tij është gjithmonë i gatshëm të bisedojë, referuar çështjes së dinarit dhe Rregullores së Bankës Qendrore.

“Keni dëgjuar gjithë ndërmjetësuesit tanë, të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë përfshirë njerëz nga SHBA-ja dhe jo vetëm nga Bashkimi Evropian, që janë kundër veprimeve të njëanshme të bërë nga regjimi i Kurtit në Prishtinë.

Asnjë nuk e kupton pse po e bëjnë këtë. Të thonë se u bë nga Banka Qendrore është një lloj mendjemadhësie hipokritike që nuk i beson askush. Shpresoj të veprojnë në mënyrë më të arsyeshme në të ardhmen.

Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të flasim për gjithçka, për çdo çështje. Kemi dërguar delegacionin me kryenegociator në Bruksel për të biseduar, por pala tjetër nuk erdhi.

Shpresoj të gjejmë mënyra për ta zgjidhur. Përndryshe do të bëjë probleme të mëdha, për serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Vuçiq, kur u pyet për rregulloren e re të BQK-së./oranews

Back to top button