Vuçiq nuk është optimist për arritjen e marrëveshjes me Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është optimist për arritjen e marrëveshjes me Kosovën për ri-regjistrimin e targave të veturave.
“Jam skeptik dhe thjesht nuk shoh hapësirë për përparim, por na takon neve të bëjmë më të mirën”, tha Vuçiq sot në Oseçinë, ku hapi Panairin e Kumbullës.
I pyetur nga një gazetar nëse pret tensione më 1 shtator, data për të cilën autoritetet e Kosovës njoftuan për zbatimin e vendimeve për riregjistrimin e automjeteve dhe për dokumentet personale, Vuçiq u përgjigj: “Nuk mendoj se mund të ndodhë asgjë më 1 shtator, por kjo është çështje kohe, sepse riregjistrimi që ata synojnë të kryejnë zgjat dy muaj. Ndërkaq, për sa i përket dhënies së dokumenteve, mund të ketë tension edhe më 1 shtator, nëse nuk pranojnë që serbët me dokumente personale serbe mund të shkojnë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe nga atje të hyjnë në Serbinë qendrore”, tha Vuçiq.
Emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve dhe arritjes së një marrëveshje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.