Vuçiq pretendon se Kosova “fshehurazi po merr veriun“

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi” po bëjnë përpjekje “të marrin veriun e Kosovës”.
Duke folur në një ngjarje në qytetin e Pozharevcit, Vuçiq tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka deklaruar se Policia e Kosovës kontrollon plotësisht Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.
Siç raporton b92, Vuçiq tha se një gjë e tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
“…sepse, me Marrëveshjen e Brukselit, policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, gjegjësisht serbët duhet të jenë aty”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se Brukseli nuk reagon ndaj thirrjeve për të ndikuar në veprimet e Prishtinës dhe paralajmëroi zyrtarët e BE-së dhe të Kosovës se Serbia “nuk do ta lejojë më këtë”.
“I paralajmëroj të dyja palët që të mos e bëjnë më këtë, pasi populli serb nuk do të tolerojë më dhunën apo mosrespektimin e normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë nesër në Beograd dhe për të gjithë të tjerët”, tha Vuçiq.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një postim në Facebook të enjten se “Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”.
Sveçla tha se kjo ndodh për herë të parë që nga paslufta./21Media

Back to top button