Vuçiq: Serbia kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, letër drejtuar BE-së, Rusisë dhe Kinës

(Lajm i përditësuar)


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të paraqesë kërkesë për mbajtjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën.

Vuçiq tha se ka shkruar një letër në lidhje me situatën aktuale që sipas tij do të pranohet nga të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, si dhe presidentët dhe kryeministrat e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Ai tha se nuk do të ketë bisedime ndërmjet Bankës Kombëtare të Serbisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës për atë temë dhe se Kosova kur i kërkon ato bisedime, sipas Vuçiqit, në fakt kërkon njohje.

Kujtojmë se dje në Kosovë ka nisur zbatimi i rregullores së BQK-së, sipas së cilës valuta e vetme e lejuar është euro./21Media


Vuçiq: Do të gjejmë banka private që do të marrin licenca për t’iu dërguar para njerëzve tanë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për anulimin e dinarit serb, është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999, dhe se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.

“Në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara, shëndetësi, arsim, pensione”, ka thënë Vuçiq të premten në një konferencë për media.

“Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se euroja është valuta e vetme me të cilën mund të kryhen pagesa me para të gatshme.

Vendimi ka hyrë në fuqi, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të zbatimit.

Në konferencë për media, Vuçiq ka thënë se do të bëjë gjithçka që serbët në Kosovë t’i marrin sërish të ardhurat e tyre.

Presidenti serb ka thënë se deri në mesditën e së premtes, për serbët në Kosovë janë ndarë më shumë se 5 milionë euro për përfitime të ndryshme.

Ai bëri të ditur se Serbia do të kërkojë zgjidhje se si t’i dërgojë paratë për serbët në Kosovë.

Kur foli për fondet që ndan Serbia, Vuçiq ka treguar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Vuçiq ka paralajmëruar se të hënën e javës së ardhshme, Serbia do të vazhdojë të dërgojë dinarë në Kosovë përmes një “transportuesi të licencuar dhe të autorizuar, kompanisë britanike Henderson, në përputhje me ligjet”.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

Disa ia kanë vënë fajin Doganës së Kosovës që e ka lejuar një praktikë të tillë, pasi që BQK-ja është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe valutave të tjera në Kosovë.

Back to top button