Vuçiq: S’ka dorëzim për targat, Kosova javën e ardhshme hyn në procedurën e pranimit në KiE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pak ditë para skadimit të afatit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato të lëshuara nga shteti i Kosovës – RKS.
Ai në një deklarim për media ka bërë të ditur se Serbia pak ditë më parë ka marrë një demarsh nga përfaqësuesit e QUINT-it, akt në të cilin janë paraqitur qëndrimet e dakorduara të vendeve të QUINT-it dhe BE-së.
Sipas Vuçiq, në pjesën që ka të bëjë me targat thuhet se “Serbia duhet ta kuptojë se veprimi i Kosovës për targat është legjitim, por se problemi është në kohë dhe metoda”.
“E para, Prishtina nuk do të bëjë kurrë ndonjë gjë në dobi të serbëve të Kosovës, e dyta, vendet e QUINT-it kurrë nuk do të bëjnë gjë kundër Prishtinës, sepse ajo është bërë pjesë e interesave të tyre nacionale, sa më e vogël e më e dobët Serbia, aq më e fortë Kosova dhe disa të tjerë në regjion”, ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, targat neutrale ndaj statusit janë të pranueshme për Serbinë, ndërsa pala kosovare nuk do të dëgjojë për këtë dhe vetëm targat RKS janë të pranueshme për ta.
Vuçiq ka potencuar se sot ka takuar edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës lidhur me problemin e konvertimit të targave. Ai ka shtuar se përfaqësuesit e Listës Serbe sot kanë thënë se me mjete demokratike do të bëjnë të gjitha llojet e rezistencës.
“Plani i Prishtinës është si vijon: t’i lëmë targat KM të dalin jashtë, dhe në kthim në Jarinjë dhe Bërnajkë, të mos lejohen të kthehen në territorin e Kosovës. Ata thjesht nuk e kuptonin se çfarë po prodhonin atëherë. Ata mendojnë se do të jetë një vendim i lehtë, se askush nuk do t’i fajësojë, sigurisht që do të hasin në rezistencën demokratike të popullatës serbe… Ne dëgjuam kërkesat e serbëve nga veriu, për gjithçka me të cilën po përballen, sidomos para përfundimit të afatit që autoritetet e Kosovës ia dhanë Serbisë, të cilat kanë të bëjnë me konfiskimin e targave dhe veturave nëse ato janë lëshuar nga autoritetet e Republikës së Serbisë”, ka thënë Vuçiq.
Sa i përket takimit me Listën Serbe, Vuçiq ka deklaruar se përgjigjja e tij është se nuk ka dorëzim.
“Kanë kërkuar edhe vitin 2018, por kanë kërkuar targa KS për të cilën jemi pajtuar. Por tani kjo nuk ju konvenon, tani do të duronin çdo gjë, vetëm që të mos kemi targa KS, sepse ato flasin për “neutralitet” të statusit… Ne i dëgjuam përfaqësuesit serbë, u thamë se nuk jemi këtu për të qenë me ta kur është e lehtë dhe për të vënë parulla nëpër lokale, por se jemi këtu kur është e vështirë dhe se do të jemi me njerëzit tanë”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka deklaruar se pret që Kosova javën e ardhshme të hyjë në procedurën e pranimit në Këshillin e Evropës.
“Pres që javën e ardhshme Kosova të hyjë në një procedurë në Këshillin e Evropës. Po afrohet, propozimi irlandez do të shkojë, mund të zgjasë një vit, por ju e dini se cili do të jetë rezultati. Ky është një presion shtesë ndaj Serbisë, për të thënë se ne nuk na intereson e drejta ndërkombëtare. Ne jemi një grup i vendeve më të fuqishme që mund të bëjmë gjithçka. Dhe ti Vuçiq, nga autoritar do të bëhesh autokratik, pastaj diktator, nëse nuk e dëgjon liderin, atëherë do të marrim disa veprime kundër teje dhe qeverisë së Serbisë, por edhe kundër Serbisë. Mirë një ditë të jetosh si një skifter, se njëqind vjet si një mi”, ka thënë Vuçiq.
Ndryshe, deri më tani janë 20 persona që kanë regjistruar automjetet e tyre në RKS. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të ketë afat shtesë pas 31 tetorit, pas shtyrjes në shtator dhe se veturat me tabela ilegale të lëshuara nga koha e Millosheviqiti nuk do të tolerohen të qarkullojnë në Kosovë.

Back to top button