Vuçiq takon njeriun e Putinit 

Vuçiq takon njeriun e Putinit 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka takuar sot ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës, raportojnë mediat serbe.
Sipas tyre, gjatë këtij takimi Vuçiq ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në Kosovë të shkaktuar, siç tka thënë ai, nga “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, si dhe mosrespektimin e Marrëveshjes së Brukselit”.
“Vuçiq e njoftoi ambasadorin Harçenko për situatën e sigurisë në Kosovë dhe presionet me të cilat ballafaqohen serbët dhe Serbia dhe përsëriti mirënjohjen për qëndrimin parimor të Rusisë dhe mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, është bërë e ditur në njoftimin e presidencës serbe.
Mësohet se ambasadorit rus Vuçiq i ka përsëritur frazën e tij se “Serbia vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme paqeje dhe stabiliteti dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”.
Ndërsa sot, presidenti serb është takuar edhe me ambasadoren kineze dhe me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.
Kujtojmë që, Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pas invazionit ushtarak në Ukrainë.

Back to top button