Vuçiqi paralajmëron gatishmëri për ta pranuar konceptin evropian

(Lajm i përditësuar)
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me pesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë ka thënë se në ditët dhe javët në vijim do të mbajë konsultime me qeverinë, parlamentin dhe grupet tjera të rëndësishme për konceptin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se “janë të gatshëm për të pranuar konceptin”.
Vuçiqi ka thënë se takimi me pesë përfaqësues të lartë ndërkombëtarë “ishte shumë i vështirë, ndoshta biseda më e vështirë që kanë pasur”.
Sipas Vuçiqit, në takim ai u përball me problemet dhe sfidat që do t’i vendosen Serbisë nëse s’pajtohen për planin e propozuar.
Lajçak pas takimit me Vuçiq: Për ne, themelimi i Asociacionit është elementi kyç i stabilitetit
Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për takimin që zhvilloi ai bashkë me katër diplomatët e tjerë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Kemi pasur një diskutim intensiv, të vështirë, por edhe të hapur, dhe ndihemi të inkurajuar nga rezultati”, tha Lajçak.
Ai tutje shtoi se zbatimi në kohë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet.
“Për ne, zbatimi në kohë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe integrimin e rajonit”, tha ai.
Emisarët ndërkombëtarë shkuan në Beograd, pas takimit që patën në Prishtinë.
Veç Lajçakut, në takim me Vuçiqin, morën pjesë edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Ekipi i diplomatëve ndërkombëtarë në Beograd takohet me Vuçiqin
Pas vizitës në Prishtinë, emisarët ndërkombëtarë shkuan në Beograd, ku po zhvillojnë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenca e Serbisë, tha se në takim me Vuçiqin po marrin pjesë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Përveç tyre, në takim me presidentin serb janë edhe i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Më 19 janar, Vuçiq i tha Radio Televizionit të Serbisë se ky do të jetë “një nga bisedimet më të rëndësishme” dhe se ai shpreson se “do të ketë përparim”.
Paraditen e 20 dhjetorit, pesë diplomatët qëndruan në Prishtinë, ku u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas këtij takimi, në një deklaratë para mediave, Lajçak tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.
Vizita e emisarëve ndërkombëtarë në Prishtinë dhe Beograd po bëhet me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Rel

Back to top button