Vulin i sanksionuar nga SHBA, pjesë e qeverisë së Serbisë, reagon DASH

Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer me emrat e propozuar për qeverinë e re të Serbisë, në të cilën janë përfshirë të sanksionuarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq.

Kryeministri i mandatuar për qeverinë e re, Millosh Vuçeviq, ka njoftuar të martën se Vulini do të shërbejë si një prej disa zëvendëskryeministrave në kabinetin e tij, që pritet të votohet gjatë ditëve në vijim në Parlament. Vulin njihet për lidhjet e afërta me Rusinë. Popoviqi pritet të jetë ministër pa portofol.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e qeverisë së Serbisë. Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen për poste në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për Vulinin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në përgjigjen e DASH-it për “Zërin e Amerikës”.

Përfshirja e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re sugjeron forcimin e lidhjeve me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur zyrtarisht pro-Bashkimit Evropian nga Serbia.

Në korrik, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Aleksandar Vulinit, duke e akuzuar atë për transport të paligjshëm armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të posteve publike.

Aleksandar Vulin dha dorëheqjen si drejtor i Agjencisë serbe së Zbulimit (BIA) pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij. Ai kishte shërbyer më parë edhe në detyrën e shefit të ushtrisë dhe policisë.

Back to top button