Vulin: Me urdhrin tim u arrestua tradhtari Sanduloviq

Aleksandar Vulin, ish-drejtor i BIA-s serbe, ka njoftuar se për arrestimin e Nikola Sanduloviq, ishte ai që kishte lëshuar urdhër-arrest në kohën sa e drejtonte këtë institucion.

“Sandulovia u ndalua me urdhrin tim, i cili mbeti në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Ai u arrestua me dyshimin për cenim të rendit kushtetues dhe duke punuar aktivisht për të mbështetur shkëputjen e të ashtuquajturës Kosovë”, tha ish-drejtori i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë në Serbi, Aleksandar Vulin, për “Novosti”.

Tutje, ai e quajti Sanduloviqin tradhtar, teksa shtoi se ka lënë urdhër-arreste tjera aktive edhe për “tradhtarë” tjerë.

“Nëse Sanduloviqi do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Himmlerit, Mossadi do ta kishte vrarë, nëse ai do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Osama bin Ladenit, CIA do ta kishte vrarë atë, duke vendosur një kurorë në varrin e vrasësit të serbëve Adem Jashari, Sanduloviqi mori vetëm arrest me urdhrin tim dhe paraburgim me urdhrin e prokurorit. I kërkoj falje Serbisë që nuk munda të bëja asgjë më shumë. Nuk e di se për cilët tradhtarë të tjerë janë aktiv urdhrat e mi të arrestit dhe për çuarjen e tyre para prokurorëve kompetentë, por është mirë që tradhtarët të kontrollojnë vetë, shpresoj që urdhrat të mos jenë anuluar”, tha Vulini.

Politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, u rrah brutalisht në ndërtesën e BIA-s serbe nga data 3 deri më 4 janar, 2024.

Avokati serb, Çedomir Stojanoviq tha se Sanduloviqi është rrahur për shkak se postoi një video në platformën X ku shihej duke vënë lule te varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe për faktin se kishte kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë.

Për dhunën ndaj tij pati reagime nga krerët politikë të Kosovës, ndërkaq në Serbi mbretëroi heshtja.

Back to top button